Vendosni fjalën kyçe....

Policia e Shtetit ju tregon medieve se si të bëjnë punën lidhur me kanabisin


Në ditët e fundit në mediet qoftë tradicionale apo ato sociale, kanë qarkulluar pamje të ndryshme të parcelave me kanabis në vend.

Lidhur me këtë fenomen ka patur raportime të ndryshme, mbi të gjitha pas një ngjarjeje të rëndë që ndodhi në Malësinë e Madhe, ku u vranë dy të rinj pas një konflikti për parcelat me kanabis.

Mirëpo Policia e Shtetit ka reaguar të premten përmes një deklarate në Facebook, ku kritikon mediet lidhur me raportimin e tyre.

Policia konsideroi se individë dhe medie të caktuara po ngrenë një alarm të pajustifikuar për kultivimin e kanabisit në vend. Madje shton se po përhapen në mënyrë masive pamje filmike të viteve të kaluara.

“Ditët e fundit, është vënë re një aktivizim i pakuptueshëm i disa individëve dhe mediave të caktuara për të krijuar një alarm të pajustifikuar për kultivimin e kanabisit në vend.

Insistimi për të përhapur opinione të pambështetura në realitet, artikulimi i konkluzioneve krejt arbitrare dhe mungesa e çfarëdo fakti apo treguesi objektiv është synuar të mbulohet nga bombardimi i opinionit publik me imazhe filmike të viteve të kaluara.” – kritikon Policia e Shtetit.

Më tej akuzon se “në kapërcim të çdo standardi etik dhe profesional”, komentet në disa panele televizive janë ilustruar me pamje të parcelave masive të mbjella me kanabis të nxjerra nga arkivat e mediave, pa asnjë shënim sqarues. Kjo duke tentuar që në “rrugë spekulative të përcillen mesazhe të rreme” tek opinioni publik.

Kujtojmë se gazetari Artan Hoxha, disa ditë më parë publikoi disa foto ku shihej në mes të një parcele me kanabis, që thoshte se ndodhej në veri të vendit.

Ai sqaroi se fotot dhe videoja janë realizuar më datë dy tetor, ndërsa shtoi se çmimi i kanabisit është rritur deri në 1 mijë e 600 euro për kilogram. Hoxha paralajmëroi se po bënte gati për të publikuar një histori lidhur me këtë fenomen.

Ndërkohë vetëm pak ditë më pas dha i pari lajmin se ishin zhdukur në Malësinë e Madhe tre të rinj dhe në qendër të konfliktit të tyre kishin qenë parcelat e drogës.

Më vonë u gjetën trupat e dy të rinjve, Klement Pepaj dhe Vilson Çutajt, të mbuluara me shkurre. Ata dyshohen se janë vrarë nga personi i tretë që u deklarua i zhdukur, Daniel Pepaj, i cili besohet se është arratisur pas ngjarjes.

Ngjarja nxiti gazetarët të raportonin më shumë për fenomenin, por Policia thotë se viti 2020 është një tjetër “vit i thellimit të suksesit” në luftën kundër kultivimit të kanabisit.

Policia që drejtohet nga Ardi Veliu, pretendon se vjetërsia e pamjeve konfirmohet edhe përmes uniformave të policëve që shfaqen në këto foto dhe video. Po ashtu i akuzon gazetarët se nuk bashkëpunojnë për të ndarë informacionet e tyre me ta.

“Aq e dukshme është kjo sa mjafton të shihen uniformat e punonjësve të Policisë në këto materiale filmike, për të kuptuar se bëhet fjalë për një periudhë kur Policia kishte uniforma dhe simbole të tjera nga ato që ka sot.

Në të njëjtën kohë, disa protagonistë të këtyre insinuatave nuk kanë treguar asnjë lloj gatishmërie për të ndarë informacion me Policinë e Shtetit lidhur me faktet kriminale të pretenduara, duke penguar kështu hapur përpjekjet për goditjen e veprimtarisë kriminale. Hezitimi për të ndarë informacion me Policinë e Shtetit e rrit edhe më shumë dyshimin për vërtetësinë e pretendimeve të bëra publike.”- akuzon Policia.

Duke i mësuar gazetarët se si të bëjnë punën e tyre, Policia i fton të të zbatojnë standardet profesionale në dhënien e lajmeve, me qëllim që publikut t’i jepen fakte “të verifikuara dhe opinione të bazuara”. Ndërsa u kërkon të mos hedhin baltë mbi punën e saj duke krijuar “opinione të gabuara” në publik.

Policia e konsideron vitin 2020 të suksesshëm në raport me goditjen e kultivimit të kanabisit, por gazetarja Fatjona Mejdini, e cila punon për “Global Initiative against Transnational Organized Crime”, tregon një realitet tjetër.

“Policia e Shtetit në vend që t’i kërkoj mediave të mos shqetësohen për kultivimin e kanabisit në vend, në fakt duhet të shqetësohet edhe vetë për fenomenin.”– shkruan Mejdini.

 

Duke iu referuar të dhënave zyrtare të vetë Policisë, Mejdini thotë se përgjatë vitit 2020 duket se ka një rritje të kultivimit të kanabisit krahasuar me 2017-ën, 2018-ën dhe 2019-ën.

Sipas të dhënave që nxjerr Mejdini, në qershor të vitit 2020 policia raportoi 36,044 bimë të asgjësuara, nga 14,595 në qershorin e një viti më parë. Në korrik 24,657, nga 15,535 në këtë muaj të 2019-ës. Ndërkohë, vetëm në muajin gusht të këtij viti, u asgjësuan 25,993 rrënjë kanabisi në krahasim me vetëm 13,661 që u asgjësuan në këtë muaj vitin e kaluar./Hashtag.al

 

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *