
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në tubimin e fitores në sheshin “Skendërbeu” në Prishtinë ka thënë se kjo dekadë i takon qeverisjes së Vetëvendosjes.
Ai ka cilësuar se fitorja e sotme dëshmon që dekada “i përket qeverisjes së Vetëvendosjes”, duke thënë se ky subjekt politik ka arritur të fitojë pesë palë zgjedhje.
Kurti ka thënë se partia që udhëheq e ka mbi të gjitha interesin publik.
“Javët në vijim do të takojmë, do të bashkëpunojmë me të gjitha partitë sepse para së gjithash e mbi të gjitha interesin publik, vullnetin dhe Republikën sovrane të cilit i shërbejmë me devotshmëri. Llogaritni në neve jo vetëm në punën që bëjmë, por edhe në bashkëpunimin që bëjmë”, u shpreh Kurti.
Ai u shpreh se kjo dekadë do të jetë e qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje, shkruan RTK.
“Për më pak se shtatë vjet, kjo është fitorja e pestë e LVV-së në zgjedhjet parlamentare. Që së paku kjo dekadë, e unë besoj edhe shumë më shumë, është e qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje. Prandaj edhe në këto zgjedhjet e pesta, u dëshmua që të gjithë garojnë, shumica votojnë e ne fitojmë. Ne i bëjmë bashkë edhe punëtorët, edhe ndërmarrjet, edhe infrastrukturën, edhe bujqësinë, edhe kujdesin për nëna e fëmijë, burra e pleq, për djem e vajza. Faleminderit për këtë mbështetje të madhe. Nuk ka vështirësi që nuk e kemi kaluar, edhe atëherë kur është dukur e pamundur, e kemi realizuar. Sepse tani është shtet për të gjithë, e ne jemi të gjithë për shtet”, tha Kurti.
Kurti u shpreh se institucionet ekzekutive të vendit janë funksionale, por theksoi se mungon Kuvendi e për këtë pati një porosi për opozitën.
“Jemi të sigurt që te LVV-ja kemi garancinë e mirëqeverisjes dhe se shteti si Republikë është në duar të sigurta. Unë jam kryeministri juaj, herë kryeministër në detyrë e herë në detyrë si kryeministër. Kosova e ka edhe presidenten, u.d. e presidentes Albulena Haxhiu Haxhiu. Sado që festojmë sonte, nesër në ora 8 jemi të gjithë në punë. Ajo çka i mungon Kosovës nuk është qeveria, as presidenti, por Kuvendi. Blloku opozitar nuk shkon në punë. E ne jemi të interesuar që edhe blloku opozitar të shkojë në punë. Shpresojmë që në legjislaturën e 11-të”, deklaroi ai.