Vendosni fjalën kyçe....

Çmimi i naftës bie në nivelin më të ulët në shtatë javë


Çmimet e naftës ranë me rreth 3% të martën, duke arritur nivelin më të ulët në shtatë javë, pasi Irani dhe Izraeli deklaruan se kishin ndalur sulmet ndaj njëri-tjetrit pas një apeli nga presidenti amerikan Donald Trump.

Trump deklaroi se Irani kishte rrëzuar një helikopter amerikan në Ngushticën e Hormuzit dhe paralajmëroi se Uashingtoni do të përgjigjej. Pas këtyre komenteve, çmimet e naftës u rikuperuan disi nga nivelet më të ulëta të seancës.

Për naftën Brent, ky ishte mbyllja më e ulët që nga 17 prilli, ndërsa për naftën WTI më e ulëta që nga 29 maji. Ishte gjithashtu hera e parë që nga janari që Brent mbyllej nën mesataren e lëvizshme 100-ditore, e konsideruar një nivel teknik mbështetjeje.

“Tregu i naftës po lëviz në rënie, pasi përplasja e fundit mes Izraelit dhe Iranit është zbutur në favor të një armëpushimi dhe ndërsa Trump vazhdon të ushtrojë presion mbi tregun duke sugjeruar se fundi i luftës me Iranin mund të arrihet brenda 2-3 ditësh, me negociatat në fazën përfundimtare”, thuhet në një analizë të kompanisë këshilluese energjetike Ritterbusch and Associates.

Të hënën, Izraeli dhe Irani ndaluan sulmet e drejtpërdrejta ndaj njëri-tjetrit, pasi Trump u bëri thirrje të ndërprisnin armiqësitë. Teherani deklaroi se do t’i rifillonte ato nëse Izraeli do të vazhdonte sulmet kundër milicisë Hezbollah në Liban.

Deri tani, Irani është përmbajtur nga ndërmarrja e sulmeve të reja, edhe pse Izraeli goditi qytetin historik portual të Tirit, në jug të Libanit, ku humbën jetën të paktën tetë persona.

Ndërkohë, Irani vazhdoi të bllokojë pjesën më të madhe të trafikut detar në Ngushticën e Hormuzit, e cila para luftës transportonte rreth një të pestën e naftës bruto dhe gazit natyror të lëngshëm në botë. Nga ana tjetër, Uashingtoni ka vendosur bllokadën e vet ndaj porteve iraniane.

Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, deklaroi të martën se trafiku i anijeve në Gjirin Persik dhe eksportet e naftës përmes Ngushticës së Hormuzit janë në rritje, pavarësisht përpjekjeve të vështira të Uashingtonit dhe Teheranit për të arritur një marrëveshje që do t’i jepte fund luftës së tyre, e cila ka hyrë në muajin e katërt, shkrun Reuters.

Në pjesë të tjera të botës, importet kineze të naftës bruto gjatë muajit maj ranë me 29%, duke prekur nivelin më të ulët në tetë vjet. Kjo rënie e ndjeshme në vendin më të madh importues të naftës në botë po ndihmon në mbajtjen nën kontroll të çmimeve globale të naftës.