
Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për presidente, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka asnjë arsye për të refuzuar kandidaturën e saj për një mandat tjetër në krye të shtetit.
Në një konferencë për media, përkrah kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, Osmani u shpreh se rezultati i zgjedhjeve përbën vetëm hapin e parë drejt ringritjes së partisë.
“Na jep shpresë se jemi në rrugë të drejtë. Me më shumë punë në terren dhe më pranë qytetarëve, besoj se LDK-ja do të vazhdojë të ringritet në muajt dhe vitet në vijim”, deklaroi ajo.
Osmani theksoi se procesi i rikthimit të LDK-së sapo ka nisur, duke shtuar se partia ka potencial për t’u forcuar edhe më tej në skenën politike të Kosovës.
“Koha e ringritjes vetëm ka filluar. S’ka asgjë që e ndal”, u shpreh Osmani.
Sipas rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, Lidhja Demokratike e Kosovës ka ruajtur bazën e saj elektorale dhe ka shënuar rritje në përqindje, duke u renditur forca e tretë politike në vend me rreth 18 për qind të votave. Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje kryeson rezultatin në nivel kombëtar me mbi 43 për qind të votave të numëruara.