Vendosni fjalën kyçe....

SHBA sulmon Iranin pas rrëzimit të një helikopteri Apache në Hormuz


Shtetet e Bashkuara ndërmorën të martën sulme ushtarake kundër Iranit, pasi Presidenti Donald Trump deklaroi se Teherani kishte rrëzuar një helikopter amerikan të tipit Apache në Ngushticën e Hormuzit.

Ky zhvillim ka thelluar dyshimet mbi mundësitë e arritjes së një marrëveshjeje paqeje mes dy vendeve.  “Ata rrëzuan një helikopter dhe ne po përgjigjemi në këto momente që po flasim,” tha Trump për ABC News.

“Besoj se përgjigjja duhet të jetë shumë e rreptë, shumë e fuqishme, dhe e tillë është kjo që po ndodh.”Mediat shtetërore të Iranit raportuan se ishulli Keshm në Ngushticën e Hormuzit u sulmua dhe se u konfirmua goditja e një objekti në Sirik.

Sipas agjencisë iraniane të lajmeve Fars, shpërthime u dëgjuan gjithashtu në zonat lindore të provincës Hormozgan.

Më herët, Trump deklaroi se dy pilotët amerikanë të përfshirë në incident nuk kishin pësuar lëndime. Sipas një zyrtari amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti, helikopteri Apache u rrëzua nga një dron sulmues iranian. 

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, nuk iu adresua drejtpërdrejt incidentit të helikopterit, por vuri në dukje se forcat e huaja në rajon rrezikojnë të përfshihen në aksidente ose mes zjarrit të kryqëzuar

.“Për të reduktuar rrezikun, zgjidhja më e mirë është që ata të largohen,” shkroi ai në rrjetet sociale.

Më vonë, mediat shtetërore të Iranit cituan një burim ushtarak sipas të cilit nuk është kryer asnjë operacion sulmues ajror në Ngushticën e Hormuzit gjatë 24 orëve të fundit. Megjithatë, i njëjti burim paralajmëroi se do të ketë një përgjigje vendimtare në rast të një “armiqësie të re nga ana e armikut”.