Vendosni fjalën kyçe....

Grenell vizitoi kufirin Kosovë-Serbi, reagon Trump: Mos braktisni marrëveshjen historike të Washingtonit


Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, bën thirrje që të mos braktiset marrëveshja e Washingtonit Kosovë-Serbi, e arritur gjatë kohës që ai ishte shef i Shtëpisë së Bardhë.

Trump ka publikuar një deklaratë për mediat, gjatë vizitës së ish-të dërguarit të tij Richard Grenell në kufirin Kosovë-Serbi.

Trump thotë se populli i Kosovës dhe ai i Serbisë kanë kapërcyer pengesa të mëdha në ndjekje të normalizimit ekonomik, ndërsa shton që marrëveshjet e ndërmjetësuara nga administrata e tij janë historike dhe nuk duhet të braktisen.

“Populli i mrekullueshëm i Serbisë dhe Kosovës kanë kapërcyer pengesa të mëdha në ndjekje të normalizimit të tyre ekonomik. Marrëveshjet e ndërmjetësuara nga administrata ime janë historike dhe nuk duhet të braktisen, shumë jetë janë në pikëpyetje. Rajoni është shumë i rëndësishëm dhe njerëzit kanë pritur shumë gjatë që kjo punë të lihet mënjanë.”- thuhet në deklaratën e publikuar nga drejtori për komunikim i tij, Taylor Budowich.

Trump thotë seGrenell e vizitoi kufirin Kosovë – Serbi pikërisht për të theksuar marrëveshjen e arritur në Shtëpinë e Bardhë.

 “Sot, i dërguari im ambasadori Richard Grenell vizitoi kufirin Kosovë-Serbi për të theksuar këtë marrëveshje të rëndësishme. Ashtu siç dëshmuam në Lindjen e Mesme me Marrëveshjet e Abrahamit, paqja dhe normalizimi ekonomik është i mundur, por kërkon një përpjekje të sinqertë dhe udhëheqje të palëkundur. Paqja është e mundshme, mos u dorëzoni – prosperiteti afatgjatë për këto dy kombe është në pikëpyetje!”- shkruan ish-presidenti amerikan.