Vendosni fjalën kyçe....

Meta: Të ndalohen hidrocentralet mbi Vjosë, arroganca e papërgjegjshmëria po i vënë kazmën vendit


Presidenti Meta ka shprehur qëndrimin e tij kundër digave mbi lumin Vjosë dhe shpalljen Park Kombëtar të zonës ku parashikohen të ndërtohen hidrocentralet.

Kreu i shtetit thekson se rishikimi i planeve ndërtimore mbi këtë lumë do ishin një shenjë e mirë demokracie nga ana e qeverisë ndërsa e kundërta ndodh me vijimin kokëfortë në këtë drejtim.

Ai e bëri deklaratën në tryezën e organizuar me temë ‘E ardhmja e lumit Vjosa’.

“Mbështes fuqimisht ndalimin e digave mbi Vjosë dhe shpalljen Park Kombëtar të pjesës lumore ku parashikohen të ndërtohen HEC-et. Rishikimi nga Qeveria i planeve ndërtimore mbi këtë lumë, do të ishte, jo vetëm një shenjë shumë e mirë demokracie, në vlerësim të opinionit të përparuar kombëtar dhe ndërkombëtar, por edhe një reagim i përgjegjshëm për të gjithë këshillimet e përsëritura nga institucionet më të larta europiane. Çdo qëndrim kokëfortë nuk do t’i shërbente të mirës së përbashkët të vendit, por njëkohësisht edhe rrugës tonë për në BE.” – shkruan Meta.

Presidenti shton më tej se uron që tryeza e sotme të vendosë një dialog mes shkencëtarëve, shoqërisë civile e institucioneve shtetërore me qëllim ruajten e natyrës së Shqipërisë. Ai bën thirrje për mbrojtjen e lumenjve dhe pasurive të vendit para se arroganca e papërgjegjshmëria t’i vënë kazmën turizmit.

“Uroj që tryeza e sotme “E ardhmja e lumit Vjosa” të arrijë të vendosë një dialog të munguar midis shkencëtarëve, shoqërisë civile dhe institucioneve shtetërore, me qëllim, ruajtjen e natyrës sonë të mrekullueshme, me të cilën jemi bekuar. Të mbrojmë Vjosën dhe lumenjtë e tjerë të Shqipërisë përpara se arroganca, papërgjegjshmëria dhe marrëzia t’i vënë kazmën edhe turizmit, një nga alternativat më afatgjata për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit, dhe të shumë familjeve shqiptare që banojnë në këto zona.” – mbyll qëndrimin e tij në Facebook, Meta.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *