Vendosni fjalën kyçe....

Gazetari gjendet me kokë të prerë, Meksika një nga vendet më të rrezikshme për reporterët


Gazetari veteran Julio Valdivia, i cili punonte në gazetën “El Mundo”, u gjet të mërkurën pasdite me kokë të prerë në shtetin bregdetar të Veracruz-it në Meksikë.

Dyshimet e Prokurorisë janë që gazetari është vrarë për shkak të detyrës së tij.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Veracruzit tha në një deklaratë: “Nëse Valdivia u vra për raportimin e tij, do të jetë pyetja qendrore për vëzhguesit e lirisë së shtypit dhe autoritetet meksikane”.

Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), Valdivia mbulonte krimin dhe sigurinë në Kordoba për gati dy dekada.

“Të gjithë e njihnin Valdivian si personi që buzëqeshte gjithmonë dhe me frazën e tij karakteristike ‘Le të shkojmë, kjo është urgjente’.”– shkruajnë kolegët e tij të cilët janë ngritur në protesta.

Valdivia është i pesti gazetar që vritet në Meksikë këtë vit, duke e bërë Meksikën vendin më vdekjeprurës për gazetarët në vitin 2020 deri më tani.

Vitin e kaluar, CPJ raportoi 11 gazetarë të vrarë në Meksikë, numri më i lartë në të gjithë botën, pasi ja kaloi dhe Sirisë ku shtatë gazetarë u vranë nga lufta.

“Unë jam i shokuar nga brutaliteti i vrasjes së Julio Valdivia, në një vend ku dhuna kundër shtypit vazhdon të rritet, edhe kur vendi shkoi në bllokim të pjesshëm për shkak të pandemisë Covid-19”– tha përfaqësuesi i CPJ-së në Meksikë për CNN.

“Bashkëpunimi midis zyrtarëve dhe krimit të organizuar përbën një kërcënim të madh për sigurinë e gazetarëve dhe gjymton sistemin gjyqësor në të gjitha nivelet”– tha grupi i CPJ-së në faqen e tyre të internetit.

Presidenti meksikan Andrés Manuel López Obrador tha të enjten se është “detyrë” e qeverisë të hetojë vdekjen e Valdivias.

“Unë e njoh Tenozapa-n dhe e di rëndësinë e gazetës El Mundo në Kordoba, dhe sa heroike është të bësh gazetari në atë rajon”- tha presidenti kur u pyet për vrasjen.

Kjo është arsyeja pse është e nevojshme të hetohen dhe ndëshkohen ata që janë përgjegjës në të gjitha rastet”– shtoi ai.

Krimi i dhunshëm në Meksikë është rritur në vitet e fundit, njëkohësisht edhe mosndëshkimi i tij. Në vitin 2018, 93% e të gjitha krimeve mbetën të pazgjidhura, sipas të dhënave të qeverisë.

Vetëm vitin e kaluar Meksika regjistroi më shumë se 35,000 vrasje, një numër rekord ky që tejkaloi dhe shifrat e vitit 2018, ku u vranë 33,341 njerëz. Shumë prej vrasjeve janë të lidhura me kartelet e drogës.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *