Vendosni fjalën kyçe....

Britania miraton ekstradimin e Julian Assange në SHBA: Na dhanë garanci se do i respektohen të drejtat e do marrë drejtësi


Ekstradimi i bashkëthemeluesit të WikiLeaks, Julian Assange në SHBA, bëri një hap përpara të premten pasi Sekretarja e Brendshme Priti Patel dha dritën jeshile për t’ia dorëzuar gazetarin paraburgimit amerikan.

“Gjykatat e Mbretërisë së Bashkuar nuk kanë gjetur se do të ishte shtypëse, e padrejtë apo abuzim i procesit, ekstradimi i zotit Assange.” – tha Zyra e Brendshme.

“Ato nuk kanë gjetur as që ekstradimi do të ishte i papajtueshëm me të drejtat e tij njerëzore, duke përfshirë të drejtën e tij për një gjykim të drejtë dhe për lirinë e shprehjes dhe se në SHBA ai do trajtohet siç duhet, përfshirë në lidhje me shëndetin e tij.” – vijon deklarata.

Assange ka 14 ditë për të apeluar.

WikiLeaks e quajti zhvillimin një ‘ditë të errët për lirinë e shtypit dhe për demokracinë britanike’ dhe shtoi se ‘vendimi do të apelohet’.

Më herët, një gjykatë britanike kishte kundërshtuar kërkesën për ekstradim me arsyetimin se Assange mund të vriste veten ose do i nënshtrohet trajtimit çnjerëzor në paraburgimin amerikan. Por SHBA-ja apeloi me sukses vendimin, duke i ofruar Britanisë garanci se të drejtat e tij do të respektoheshin.

Mbështetësit e aktivistit të burgosur thonë se ai po persekutohet për zbulimin e sekreteve të errëta të qeverisë amerikane dhe se gjendja e tij e tanishme është menduar si një paralajmërim rrënqethës për çdo gazetar që do të mendonte të bënte të njëjtën gjë.

WikiLeaks tha se do vazhdojë të luftojë për Assange përmes sistemit ligjor për ta mbrojtur atë nga zhdukja në ‘zonat më të errëta të sistemit të burgjeve në SHBA për pjesën tjetër të jetës së tij’. SHBA e kërkon 50-vjeçarin australian për krime të supozuara dhe nëse shpallet fajtor mund të dënohet deri në 175 vjet burg.

WikiLeaks kujtoi se Uashingtoni ‘kishte komplotuar vrasjen e tij’, duke iu referuar raporteve që pretendonin se Agjencia Qendrore e Inteligjencës e SHBA (CIA), nën drejtorin e dikurshëm të CIA-s Mike Pompeo, kishte diskutuar për vrasjen ose rrëmbimin e Assange ndërsa ai po strehohej në Ambasadën e Ekuadorit në Londër.

Assange ka qenë objektiv i SHBA-së që nga viti 2010, kur ËikiLeaks publikoi një grumbull kabllogramesh të Departamentit të Shtetit dhe dokumente të Pentagonit që përshkruanin krimet e supozuara të luftës të kryera nga forcat amerikane në Afganistan dhe Irak.