Vendosni fjalën kyçe....

Balla i bindur për mandatin e tretë: S’ka alternativë më të mirë se PS-ja, kundërshtari i dobët


Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka publikuar sot një mesazh në Facebook, ku shprehet i bindur se shqiptarët nuk kanë një alternativë më të mirë se sa partia e tij.

Sipas Ballës, kundërshtari është shumë i dobët dhe i pabesueshëm për t’i dhënë votën dhe se nuk krijon një garë të mirëfilltë idesh, programesh dhe ekipesh.

“Shqiptarët, sot nuk e kanë një alternativë më të mirë sesa Partia Socialiste, madje sot ka edhe më shumë arësye për të na ribesuar drejtimin e vendit, më shumë sesa edhe tre vite më parë.
Këtë njerëzit e dinë. Shumica e tyre nuk e diskuton, por kjo sot s’na mjafton. Kundërshtari shumë i dobët dhe i pabesueshëm për t’i dhënë votën, nuk krijon një garë të mirëfilltë idesh, programesh dhe ekipesh. Zgjedhja sot në zemrat e shqiptarëve është e thjeshtë. Edhe në fletën e votimit në pranverë 2021 po aq.”– shkruan Balla.

Më pas ai i thur lavde kryeministrit Edi Rama, duke thënë se Shqipëria nuk ka patur një kryeministër më të mirë se ai. Dhe sipas Ballës, Rama do jetë kryeministër përsëri jo thjesht se ka kundërshtarin e dobët.
Ai kujton dy ngjarjet më të rënda që kanë ndodhur brenda një kohe të shkurtër, si tërmeti dhe pandemia, që sipas tij nuk e tundën qeverinë.

“Shqipëria nuk ka patur dhe nuk ka një Kryeministër më të mirë sesa Edi Rama. Dhe Edi Rama do të jetë Kryeministër edhe për katër vitet e mandatit tonë të tretë. Jo pse përballë si kandidatë rivalë janë Saliu i veshur si Luli, Monika në vend të Ilirit, bashkë me Nardin, Dashin, Mediun apo Vangjel Dulen. Ne nuk do konkurojmë me ta. Ekipet tona në cdo qark nuk do të konkurojnë me ta, por me pritshmërirë e aleatit tonë të vetëm, njerëzit e thjeshtë.
Tërmeti dhe pandemia nuk ishin ngjarje dosido, por janë nga ato ngjarje që tundin tokën nën këmbët e një vendi të tërë dhe jo më të një qeverie. Dhe shqiptarët janë dëshmitarë dhe gjyqtarë të pagabueshëm.
Në mbledhjen me Asamblenë Socialiste të Bashkisë Prrenjas i informova se: ‘Gjatë tetorit-dhjetorit 2020 përmes komunikimit virtual do të merret opinioni nga anëtarësia e partisë në një kanal të posaçëm dhe nga qytetarët në një kanal tjetër mbi performancën e ministrave dhe deputetëve.
Konkurimi me lista të hapura ka sjellë si domosdoshmëri krjimin e një një dritareje për thithjen e propozimeve nga baza socialiste dhe nga qytetarët’.”– shkruan Balla.