Vendosni fjalën kyçe....

Meta mesazh përmes Brehtit e Oruellit në ditën europiane të viktimave të komunizmit e stalinizmit


Presidenti Meta tha sot se historia rrezikon të përsëritet nëse njerëzimi harron çmimin e dhimbshëm që ka paguar për lirinë, demokracinë e të drejtat.

Ai e bëri deklaratën në Në Ditën Europiane të Kujtimit të Viktimave të Nazizmit dhe Stalinizmit duke theksuar se për më shumë se 40 vite, Shqipëria u shndërrua në Korenë e Veriut të Europës.

“Në Ditën Europiane të Kujtimit të Viktimave të Nazizmit dhe Stalinizmit nderojmë të gjithë jetët e pafajshme të humbura nga krimet dhe terrori i dy ideologjive shkatërrimtare dhe bashkëndajmë dhimbjen me të gjithë ata që u mbijetuan burgjeve, internimeve dhe torturave çnjerëzore. Historia rrezikon të përsëritet në forma të tjera nëse harrojmë çmimin e dhimbshëm që kemi paguar për Lirinë, Demokracinë, Të Drejtat dhe Dinjitetit Njerëzor. Një nga tiparet e regjimeve totalitare është fshirja e kujtesës historike, fillimisht nëpërmjet propagandës, e më pas edhe represionit. Për mbi 4 dekada ne u shndërruam në Korenë e Veriut të Europës, ndaj kemi sot përgjegjësinë për të mbrojtur në çdo moment lirinë, demokracinë, pluralizmin e paqen sociale, që nuk na janë dhënë njëherë e përgjithmonë.” – shkruan Meta në Facebook.

Ai përmendi dy vepra artistike, një e Bertold Brehtit dhe tjetra e Xhorxh Oruellit, që sipas tij janë alegoritë më të jashtëzakonshme që përshkruajnë Nazizmin e Stalinizmin.

Meta vërejti se kur shoqëria është neglizhente në mbrojtje të lirisë e demokracisë, atëherë rezikohet nga tragjeditë.

“Arturo Ui” i Bertolt Brecht dhe “Ferma e Kafshëve” e George Orwell, dy alegoritë më të jashtëzakonshme të Nazizmit dhe Stalinizmit, i kanë dhënë mbarë njerëzimit mesazhe të vlefshme në çdo kohë dhe tepër paralajmëruese. Dy kryeveprat botërore na mësojnë se kur shoqëria është neglizhente në mbrojtjen e Lirisë dhe Demokracisë, përherë do të shfaqet një gangster ambicioz si Arturo Ui, që i rrethuar nga servilë të paskrupullt, dallkaukë dhe kriminelë, ngjitet në pushtet, duke shantazhuar kundërshtarët e asgjesuar opozitën, pasi merr nën kontroll gjykatat dhe i mbyll gojën shtypit. Apo ashtu si në Fermën e Orwellit, kafshët e shtypura pasi rebelohen për liri e barazi, befas një elitë dinake e udhëhequr prej derrave me parimin se “të gjithë janë të barabartë, por disa janë edhe më të barabartë se të tjerët” merr kontrollin e pushtetit dhe një tirani zëvendësohet me një tjetër.” – vijon Meta.

Në fund kreu i shtetit bën thirrje që tragjeditë e së shkuarës të mos harrohen dhe të bashkohen forcat për të bërë më të mirën për çdo shqiptar.

“Të mos harrojmë kurrë tragjeditë e së shkuarës dhe duke bashkuar të gjitha forcat të bëjmë më të mirën që çdo shqiptar të gëzojë jetën, lumturinë, të drejtat, liritë dhe të ardhmen e tij të sigurtë europiane në Shqipëri dhe jo si emigrant në vende të tjera.” – mbyll reagimin presidenti Meta.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *