Vendosni fjalën kyçe....

PD: Rama gënjen, fotoja e publikuar nga kufiri greko-bullgar është e para 4 viteve 


Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me menaxhimin e situatës së radhëve të gjata në Kakavijë me anë të sekretarit për Marrëdhëniet me jashtë Arben Kashahu.

Sipas Kashahut, Rama e dinte që në 5 gusht lidhur me vendimet e marra nga pala greke për menaxhimin për pandeminë por nuk reagoi.

Ndërsa lidhur me dokumentin e publikuar nga Presidenti Meta tregon sipas tij neglizhencën dhe papërgjegjshmërinë e Ministrit të Jashtëm Edi Rama.

“Edi Rama ka shpërdoruar detyrën në lejimin e krizës humanitare në pikën kufitare të Kakavijës, ku, tragjikisht, humbi jetën edhe një fëmijë.

Kryeministri i vendit i cili është njëkohësisht edhe Ministër i Jashtëm fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë, u informua që në datën 5 gusht zyrtarisht për vendimet e marra nga pala greke për të menaxhuar pandeminë me shtetasit që hyjnë në Greqi. 11 ditë më parë Edi Rama e dinte se çfarë do të ndodhte, por vazhdoi pushimet pa e vënë ujin në zjarr për mijëra shqiptarë që e pësuan prej neglizhencës së tij kriminale.

Dokumenti i bërë publik nga Presidenti i Republikës, nxjerr në dritë neglizhencën  dhe papërgjegjshmërinë e kryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm Edi Rama.

Ai nuk bëri asgjë. Shkoi me pushime luksoze dhe i la shqiptarët të dynden në pikën kufitare pa asnjë lajmërim, pa asnjë masë për të parandaluar atë katastrofë humanitare.

Dokumenti i datës 5 Gusht tregon se Edi Rama është përgjegjës i drejtëpërdrejtë për atë që ndodhi në kufijtë tanë me shtetin fqinjë. Ai është përgjegjës për vuajtjet dhe humbjet që pësuan shqiptarët në pritje  për të kaluar kufirin”

Ndërsa lidhur me foton e publikuar nga Kryeministri si krahasim edhe me gjendjen e krijuar në kufirin Bullgaro-Grek, PD-ja e denoncon si të gënjeshtërt dhe se fotoja është e 4 viteve më parë.

Tradhtia e tij ndaj shqiptarëve vazhdon edhe sot, kur genjen duke i shitur fotot e 4 viteve më parë në kufirin Bullgaro-Grek si bllokim të kufirit sot, i cili ka zgjatur vetëm pak orë dhe pa arsye të ngjashme me Shqipërinë.

Shkrimi i gazetës greke Kathimerini që paraqitet në foton e Edi Ramës sot, i përket 2 shkurtit 2016. Megjithatë, asnjë foto nga asnjë kufi tjetër i Europës nuk jusitikon dot dështimin e Ed Ramës dhe braktisjen e shqiptarëve”-thotë Kashahu.

Me tej Kashahu thekson se menaxhimi i kësaj situate është tërësisht shpërdorim i pastër detyre dhe ka kërkuar hetim nga Prokuroria e Posaçme.

Edi Rama e dinte që në 5 Gusht shtrëngimin e masave në kufirin me Greqinë, por nuk gjeti kohë gjatë pushimeve luksoze në rezidencat qeveritare të bëjë qoftë edhe një postim në facebookun e tij për të informuar shqiptarët.

Ky është shpërdorim i pastër detyre që solli si pasojë humbjen e një jete të pafajshme.

Prokuroria e Posaçme është thirrur sërish në provë për të treguar se nuk është një strukturë në shërbim të qeverisë dhe se ka guximin të veprojë si një organizëm i pavarur në shërbim të interesit publik”-përfundon zyrtari i PD-së.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *