Vendosni fjalën kyçe....

Mikrobiologu: Kosova në vendin e tretë në Europë për numrin e të infektuarve me koronavirus


Mikrobiologu Lul Raka thotë se Kosova aktualisht është në vendin e tretë në Europë, për numrin më të lartë të të infektuarve me Covid-19 në 100 mijë banorë.

“Gjendja aktuale në javët e fundit po shënon rritje enorme të numrit të rasteve dhe Kosova fatkeqësisht është në vendin e tretë aktualisht në Evropë me numrin e rasteve në 100 mijë banorë, pas Maqedonisë dhe Suedisë.”-, ka treguar ai në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

I pyetur se pse ka një rritje të numrit të të infektuarve, doktor Raka thotë se ka shumë faktorë. A bën përgjegjës si individët që nuk janë treguar të kujdesshëm e korrekt në zbatimin e masave, ashtu edhe autoritetet që nuk janë kujdesur për zbatimin e tyre.

“Ka shumë faktorë dhe secila komponentë është përgjegjëse. Nuk është kohë e fajësimit, jo i ka fajet populli ose qeveria, të gjithë jemi përgjegjës ngapak. Faktorë kryesor që ka ndikuar janë mos respektimi i masave të parandalimit nga popullata, pasi pas 1 qershori është konsideruar se përfundoi koronavirusi dhe nuk ka pasur kurfarë mase mbrojtëse, por as mbikëqyrje të zbatimit të masave parandaluese nga institucionet shtetërore në rend të parë nga inspektorati, komunat dhe ka pasur edhe vonesa, lojëra politike e që ka ndikuar në mënyrë të tërthortë në mbarëvajtjen e menaxhimit dhe ka ndikuar edhe kjo.

Andaj secili do duhej ta kryente punën e vet, popullata t’i respektojë masat, inspektorati t’a mbikqyrë respektimin e këtyre masave , pasi një pjesë e madhe e popullatës rreth 30 për qind, mendojnë se virusi është gënjeshtër sipas hulumtimeve të fundit. Andaj duhet të ketë bashkëpunim politik për ta adresuar problemin, në mes partive politike të cilën e kemi parë që ka munguar , jo tash por qe dy –tre muaj.”- thotë mjeku mikrobiolog.

Ditën e djeshme, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë, ka njoftuar se katër persona kanë vdekur dhe janë regjistruar edhe 203 raste të reja me Covid.
Shifrat e reja e kanë ccuar në 4.715 numrin e personave të infektuar dhe në 101 numrin e viktimave.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *