Vendosni fjalën kyçe....

Meta kthen në Kuvend ligjin “për tregjet e kapitalit”


Kreu i shtetit Ilir Meta ka kthyer në Kuvend ligjin për “tregjet e kapitalit”.

Presidenca thotë se ky ligj shihet me shqetësim për arsye se së pari, me kuadrin rregullator dhe financiar të vendit tonë; së dyti, mbi mënyrën se si dispozita të veçanta të këtij ligji trajtojnë licencimin dhe mbikëqyrjen e operatorëve në këtë fushë.

“Në parim tregjet e kapitalit në ekonomitë në zhvillim shoqërohen me përmirësimin e alokimit të kapitalit, lejimin e ndarjes së rreziqeve, lehtësimin e politikës monetare, rritjen e efikasitetit duke rritur konkurrencën midis emetimit të korporatave dhe bankave dhe uljen e kostos së financimit pasi lehtësohet aksesi i investitorëve të huaj. Dhe si një vend që aspiron integrimin europian, qasja më e mirë për të zhvilluar tregjet e kapitalit do të jetë zbatimi i standardeve të Bashkimit Europian për kornizën ligjore dhe rregullatore.

Ndaj dhe përtej komenteve që lidhen me aspekte të qartësisë së normës juridike dhe përputhshmërinë me parimet kushtetuese siç do të përmblidhen shkurtimisht në vijim të këtij arsyetimi, problematika kryesore e këtij akti qëndron në faktin se, aktualisht nuk janë përmbushur parakushtet për një zhvillim të suksesshëm të tregjeve të kapitalit”, thotë presidenca.

Meta thekson se miratimi dhe hyrja në fuqi e ligjit në këto momente dhe me këto parashikime, bëjnë që nga njëra anë vendi të përballet me riskun që bursa të jetë spekulative dhe jo funksionale, ndërsa nga ana tjetër, dhe aksesi i operatorëve në këtë treg të jetë i cenueshëm, duke mos ofruar garancitë e nevojshme ligjore.

Më tej, Presidenti shpreh shqetësim “nga mungesa e vëmendjes së deputetëve në shqyrtimin e projektligjeve”. “Duket qartë se debati parlamentar në drejtim të përmirësimit të propozimeve ligjore ka rënë ndjeshëm. Në mënyrë të përsëritur kam evidentuar një cilësi të dobët të procesit ligjbërës prej deputetëve, sidomos referuar harmonizimit të projektligjeve që shqyrtohen dhe miratohen me normat ekzistuese në fuqi në Republikën e Shqipërisë, e veçanërisht me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit”- thotë Meta.

Arsyet e plota të kthimit në Kuvend të ligjit mund t’i lexoni këtu


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *