Vendosni fjalën kyçe....

Digjen përsëri gjatë natës mbetjet në Manzë, banorët protestojnë (VIDEO)


Banorët në Manzë janë ngritur përsëri të protestojnë mbrëmjen e kaluar për djegien e plehrave. Protetuesit kanë bllokuar rrugën që të çon tek Gjiri i Lalëzit, ndërsa siç shihet në videon e mëposhtme flakët kanë marrë përmasa të mëdha.

Mes protestuesve dhe qytetarëve që kanë dashur të kalojnë ka patur tensione. E protesta ka vijuar edhe në orët e mëngjesit.

Që prej të shtunës në venddepozitim po sillen mbetjet urbane të qytetit të Durrësit, i cili tashmë është në kolaps pas mbylljes së landfillit të Porto Romanos dhe dështimit për t’i dërguar në Sharrë.

Banorët e Manzës dhe ambientalistët që kanë protestuar për të disatën ditë me radhë, po e konsiderojnë këtë një “bombë ekologjike”. Ata akuzojnë punonjësit e pastrimit të Bashkisë se u kanë vënë flakën gjatë natës në mënyrë që të ulin volumin e mbetjeve, duke mbuluar si pasojë zonën me tym.

Çfarë ka ndodhur?

Tërheqja e plehrave në qytetin e Durrësit është futur në krizë prej disa ditësh, për shkak të mbylljes së fushës së plehrave në Porto Romano ku ka nisur puna për ndërtimin e “Eko Parkut”. E për më tepër nuk është caktuar një vend i ri për grumbullimin e tyre, duke bërë që mbetjet në të gjitha lagjet të mos tërhiqen.

Fillimisht bashkia e Durrësit përcaktoi landfillin e Sukthit si pikë grumbullimi, por kjo u prit me protesta nga banorët.

Për momentin dërgimi i plehrave në landfillin e Sharrës ka dështuar për shkak të mungesës së fondeve nga bashkia. E tani një pjesë e mbeturinave po dekompozohen nëpër lagjet e Durrësit, një pjesë janë dërguar në Manzë duke shkaktuar shqetësimin e banorëve atje.

E gjitha kjo sepse punimet për “Eco parkun” nisën pa zgjidhur ende problemin se ku do grumbullohen mbeturinat./Hashtag.al

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *