Vendosni fjalën kyçe....

Parandalohet vrasja në Lezhë, arrestohet 21-vjeçari, dy në kërkim


Parandalohet një ngjarje e rëndë kriminale në Kurbin, ndërsa gazetari Elidon Ndreka bën me dije për BalkanWeb se ka rënë në pranga Mateo Dashi, dhe janë shpallur në kërkim Orgest Mehi dhe Gjon Martinaj.

Policia e Lezhës njofton se në mesnatë, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Fushë Kuqes”, Kurbin, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin dhe Forcat e Sigurisë Kombëtare i kanë bërë shenjë ndalimi një automjeti me të cilin dyshohet se po qarkullonte shtetasi që do të kryente vrasje.

Drejtuesi i automjetit, shtetasi Orgest Mehi, sapo ka parë shërbimet e Policisë, ka rritur shpejtësinë duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë dhe në fshatin Gurëz ka braktisur automjetin dhe duke përfituar nga errësira është larguar me shpejtësi.

Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë gjetën një armë zjarri snajper me precizion të lartë, me një krehër me fishekë në të dhe një çantë me fishekë të tjerë për këtë armë.

 

“Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore për këtë rast, u vu në pranga shtetasi Mateo Dashi, 21 vjeç, banues në fshatin Gurëz, Kurbin, si dhe u shpall në kërkim shtetasi Gjon Martinaj, 30 vjeç, banues në Fushë Kuqe, Kurbin, të dyshuar si bashkëpunëtorë të shtetasit Orges Mehi  23 vjeç, banues në fshatin Gurëz, Kurbin (i shpallur në kërkim), për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”.

Forcat e Sigurisë Kombëtare, ato të DVP Lezhë dhe të Komisariatit të Policisë Kurbin vijojnë kontrollin e zonës, për kapjen e tyre.

Vijon puna hetimore në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale dhe për dokumentimin e plotë ligjor të saj.

Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”