
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pritet të synojnë një fitore politike gjatë takimit të tyre të tretë për këtë vit, pas sulmeve të fundit të përbashkëta ndaj Iranit, të cilat të dy liderët i kanë quajtur një sukses të plotë.
Megjithatë, vizita e Netanyahut në Uashington vjen në një moment të ndjeshëm, teksa lufta 21-mujore mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza vijon, duke ngritur pikëpyetje nëse Trump do të ushtrojë presion për t’i dhënë fund konfliktit. Trump, pas përfundimit të luftës 12-ditore me Iranin, ka shprehur dëshirën që kriza në Gaza të mbyllet sa më shpejt.
Takimi mes dy liderëve mund të rrisë urgjencën për një marrëveshje armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit, një propozim që aktualisht është në diskutim, por ende mbetet e paqartë nëse do të sjellë një zgjidhje përfundimtare.
Ish-ambasadori izraelit në SHBA, Michael Oren, deklaroi: “Pamjet do të duken shumë pozitive, por pas këtij turi ‘fitoreje’, do të ngrihen disa pyetje serioze.”
Para nisjes për në Uashington, Netanyahu vlerësoi aleancën me Shtetet e Bashkuara si thelbësore për “një fitore të madhe ndaj armikut të përbashkët” dhe u shpreh se po punon për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi për Gazën, në përputhje me kushtet e dakorduara me SHBA-në./AP