Vendosni fjalën kyçe....

Protestuesit në Atlanta vandalizojnë godinën e CNN-it, i vënë flakën makinave (FOTO)


Protestat në SHBA janë përshkallëzuar mbrëmjen e kaluar. Siç shkruajnë mediat amerikane, protestuesit kanë vandalizuar pjesën e përparme të godinës së CNN-it në Atlanta, ndërsa i kanë vënë flakën dhe një automjeti përpara godinës.

Pas disa orësh proteste paqësore në qendër të qytetit të Atlantës, disa demonstrues befas u kthyen të dhunshëm, duke goditur makinat e policisë, duke i vënë flakën, duke pikturuar në selinë e CNN-it dhe duke u futur në një restorant. Turma u përplas me oficerët duke brohoritur “Braktis punën tënde”.

Godina e CNN është dëmtuar në pjesën e përparme të ndërtesës dhe nga brenda saj.

Të paktën tre oficerë u lënduan dhe pati arrestime të shumta. Zëdhënësi i policisë së Atlantës, Carlos Campos tha në një deklaratë me email se protestuesit qëlluan me armë drejt oficerëve, hodhën tulla, shishe dhe thika. Njerëzit e panë skenën nga çatitë, disa duke qeshur.

Kryebashkiaku i Atlanta Keisha Lance Bottoms, gjatë një konference për shtyp të Premten në mbrëmje, foli drejtpërdrejt para protestuesve: “Kjo nuk është protestë. Ky nuk është shpirti i Martin Luther King Jr”.

Ajo u tha protestuesve se po turpërojnë qytetin si dhe afro-amerikanin George Floyd, vdekja e të cilit u bë shkak për këto trazira.

“Ju keni shkatërruar ndërtesën e CNN. Ted Turner filloi CNN-in në Atlanta, 40 vjet më parë sepse ai besoi se kush jemi ne si qytet”.

Ndërkohë një ekuipazh i CNN u arrestua ndërsa po raportonte drejtpërdrejtë të premten në mëngjes në Minneapolis, pasi ato mbulonin protestat në vazhdim. Gazetarët u liruan afërsisht një orë më vonë.