Vendosni fjalën kyçe....

Basha: Nëse do kishte drejtësi të pavarur, Rama, Veliaj e Veliu do ishin të pandehur


Kreu i Partisë Demokratike deklaroi mbrëmjen e sotme se deklarata e ambasadores amerikane për reformën në drejtësi u drejtohet atyre që kanë plane për konsolidimin e kapjes së sistemit të drejtësisë.

Gjatë një interviste në ABC News, kryedemokrati tha se nëse drejtësia do funksiononte Rama, Veliaj e Ardi Veliu duhet të ishin sot të pandehur për prishjen e Teatrit Kombëtar e dhunën ndaj qytetarëve.

“Unë e di që televizioni juaj ka transmetuar intervista të deputetëve socialistë që kanë kërkuar ndërhyrje në reformën në drejtësi. Kështu që pa asnjë mëdyshje kjo u drejtohet atyre që, në pikëpamjen time, kanë plane për të konsoliduar kapjen e drejtësisë në një moment kur drejtësia duhet të bëjë detyrën. Dhe që drejtësia të bëjë detyrën sot Erion Veliaj duhet të ishte i pandehur, Edi Rama duhet të ishte i pandehur, Ardi Veliu duhet të ishte i pandehur. Të gjithë ata që dhunuan kolegët tuaj, që dhunuan artistët duhet të ishin të pandehur. Kjo është sfida e vërtetë e drejtësisë sot. Ndërsa ata që i tremben drejtësisë, ata që i tremben 339-ës, 184-ës, dosjeve me afera korruptive, janë arsyeja e vetme pse shqiptarët kanë një paketë ndihme tre herë më të vogël sesa qytetarët e Republikës së Kosovës.” – tha Basha.

Më tej kryedemokrati shtoi se reformën në drejtësi po e minojnë ata që vjedhin paratë e shqiptarëve me koncesione e PPP.

Basha tha se me një drejtësi të pavarur qeveritarët do e kishin të pamundur që të bënin gjithçka po bëjnë në kurriz të qytetarëve.

“Ata që vjedhin paratë e shqiptarëve dhe, si rezultat i kësaj, biznesi shqiptar vuan dhe po falimenton dhe familjet shqiptare kanë ngelur për bukën e gojës, nuk kanë më kapacitete as për të marrë borxh dhe as për të shkuar tek listat e dyqaneve. Pse? Sepse paratë e tyre vidhen me koncensione, vidhen me inceneratorët, vidhen me koncensionet e rrugëve, vidhen me koncensionet e korruptuara të shëndetësisë. Këta e dinë që po të ketë një shans drejtësia e pavarur, këta jo vetëm humbasin privilegjet dhe paratë që u kanë vjedhur shqiptarëve, të cilat do t’u kthehen shqiptarëve, por përfundojnë në burg. Por edhe një herë duhet ta kuptojmë që  është kjo arsyeja pse Edi Rama zgjedh, vendos edhe në kohë pandemie që shqiptarëve t’u japë një paketë ndihme 1/3 e asaj të Kosovës, ndërsa oligarkët të vazhdojë t’i paguajë ashtu siç duhet.” – shtoi Basha.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *