Vendosni fjalën kyçe....

Nëna e Rita Orës në vijat e frontit në luftën me Covid-19: Është detyra ime të ndihmoj


Për shkak të krizës së krijuar nga koronavirusi, nëna e Rita Orës, Vera i është bashkuar edhe njëherë Shërbimit Britanik të Shëndetësisë (NHS).

Vera Ora, është një ish-mjeke e përgjithshme dhe psikiatre e kualifikuar që ka punuar me pacientë të shëndetit mendor, por kishte dalë në pension vite më parë.

Rita është mburrur me vendimin e nënës së saj në radhët e punonjësve të shëndetësisë, duke thënë se ajo mbetet heroinë në sytë e saj.

Këngëtarja me origjinë shqiptare tha për revistën Hello: “Nëna ime ka qenë gjithmonë heroina ime, por kjo pandemi ka bërë sinqerisht që ajo të bëhej një superheroinë në sytë e mi. Ajo është aq e guximshme dhe ka kaluar aq shumë vetë, por zemërgjerësia e saj për të ndihmuar të tjerët vetëm çimenton atë që unë di që nëna ime është e aftë të bëjë. Jam shumë e lumtur që pjesa tjetër e botës tani mund ta shohë këtë gjithashtu. Të gjithë mjekët dhe infermierët e NHS-së janë heronjtë e mi.”– është shprehur Rita.

Një ditë më parë, Vera Ora bëri një publikim në rrjetet sociale, ku shfaqej e veshur me uniformë.  “Detyra thërret! Ju lutëm qëndroni në shtëpi sa më shumë që mundeni, ne po bëjmë më të mirën”, shkruante ajo krahas fotos.

Ajo ka pasur edhe një këshillë për të gjithë personat e martuar, si psikiatre.

“Këshillë për të martuarit dhe çiftet: Derisa jeni në izolim ndaloni grindje dhe përleshjet. Kjo çmenduri së shpejti do të kaloj! Mbani familjet afër dhe falni dashuri”, ka shkruar ajo.

Në një prononcim për revistën, 55 vjeçarja tha se është detyra e saj të ndihmojë të tjerët.

“Unë e dua punën time dhe dua të bëj më të mirën. Është roli dhe detyra ime të ndihmoj të tjerët. Asgjë nuk do të më ndalojë, vetëm nëse nuk ndihem mirë për ta bërë atë punë. Këto janë periudha sfiduese dhe kurrë më parë nuk më është dashur të ofroj më shumë dhembshuri dhe mbështetje për kolegët e tjerë. Unë kam qenë dëshmitare e heroizmit nga i gjithë stafi i NHS-së, nga mjekët dhe infermierët e deri te portierët dhe pastruesit në mjedise të ngjeshura, stresuese dhe të rrezikshme.”