Vendosni fjalën kyçe....

Pse në disa shtete njerëzit i veshin maskat mbrojtëse, e në disa jo


Në rrjetet sociale dhe në lajmet ndërkombëtare, muajin e fundit kemi lexuar qëndrime të ndryshme përsa i përket vendosjes së maskave mbrojtëse në fytyrë për shkak të koronavirusit.

Por pse ndodh kjo? Pse në disa vende si Hong Kongu, Seuli ose Tokio nëse del pa maskë rrezikon të kthehesh në një person të papëlqyeshëm për shoqërinë e madje dhe të sulmohesh, ndërsa në vende si Britania, SHBA-ja, Sidnei dhe Singapori nuk ka asnjë problem të dalësh pa maskë.

Sipas BBC-së, kjo nuk ka të bëjë vetëm me direktivat qeveritare dhe këshillat mjekësore, ka të bëjë edhe me kulturën dhe historinë. Por ndërsa kjo pandemi përkeqësohet, a do të ndryshojë kjo?

Fjala zyrtare për maskat

Që nga fillimi i shpërthimit të koronavirusit, këshillat zyrtare nga Organizata Botërore e Shëndetit kanë qenë të qarta. Vetëm dy lloje të njerëzve duhet të mbajnë maska: ata që janë të sëmurë dhe shfaqin simptoma, dhe ata që kujdesen për njerëzit që dyshohen se kanë koronavirus.

Askush tjetër nuk ka nevojë të vërëë një maskë, dhe ka disa arsye për këtë. Studimet tregojnë se maska nuk është e nevojshme për qytetarët, pasi virusi përhapet nga pikat e pështymës dhe tështitjes dhe jo nga ajri.

Kjo është arsyeja pse ekspertët thonë se larja e shpeshtë e duarve me sapun dhe ujë është shumë më efektive. Heqja e maskës nga fytyra kërkon vëmendje të veçantë pasi duart nuk duhet të jenë të ndotura dhe po ashtu krijon një ndjesi të rremë sigurie në publik.

Megjithatë, në disa pjesë të Azisë, të gjithë tani vendosin një maskë dhe ajo shihet si më e sigurt.

Në territorin e Kinës, Hong Kong, Japoni, Tajlandë dhe Tajvan, supozohet se çdokush mund të jetë bartës i virusit, madje edhe njerëz të shëndetshëm. Pra, në frymën e solidaritetit, njerëzit vendosin maskë për të mbrojtur të tjerët nga vetja.

Disa nga këto qeveri po u bëjnë thirrje të gjithëve që të mbajnë një maskë, dhe në disa pjesë të Kinës madje mund të arrestoheni dhe të ndëshkoheni nëse nuk e vendosni një të tillë.

Ndërkohë, në Indonezi dhe në Filipine, ku ka dyshime se ka shumë raste të pa raportuara, shumica e njerëzve në qytetet e mëdha kanë filluar të veshin maska për të mbrojtur veten nga të tjerët.

Për shumë nga këto vende, maska ishte një normë kulturore edhe para shpërthimit të koronavirusit. Ata madje kanë prodhuar edhe maska të modës, si psh ato me macen Hello Kitty, që bënë bujë në tregjet e Hong Kong-ut.

Në Azinë Lindore, shumë njerëz janë mësuar të mbajnë maska kur janë të sëmurë ose kur është sezoni i gripit, sepse konsiderohet e pasjellshme të teshtitni ose kolliteni hapur. Përhapja e virusit Sars e vitit 2003, që cila preku disa vende të rajonit, gjithashtu theksoi rëndësinë e mbajtjes së maskave, veçanërisht në Hong Kong, ku shumë vdiqën për shkak të virusit.

Pra, ka një ndryshim kryesor midis këtyre shoqërive dhe atyre perëndimore, pasi ata i kanë përjetuar sëmundjet ngjitëse më parë dhe kujtimet janë ende të freskëta dhe të dhimbshme.

Ndërkohë, në Azinë Jug-Lindore, veçanërisht në qytetet më të dendura me popullsi, shumë njerëz përdorin maska ​​në rrugë thjesht për shkak të ndotjes.

Por kjo nuk është e përhapur kudo në Azi, në Singapor qeveria i ka kërkuar publikut të mos vendosin maska, në mënyrë që të ketë ​​ furnizime të mjaftueshme për punonjësit e kujdesit shëndetësor. Në Singapor ekziston një besim i konsiderueshëm i publikut tek qeveria, kështu që njerëzit në shumicë i të dëgjojnë këshilla të tilla.

Maska si një shtysë sociale

Disa argumentojnë se maskat e kudogjendura, shërbejnë si një kujtesë vizuale e rreziqeve të virusit, dhe mund të veprojnë si “shtytëse” për një higjienë të përgjithshme personale më të mirë.

“Veshja e maskës çdo ditë para se të dilni është si një ritual, si të vishni një uniformë, dhe në sjelljen rituale ju mendoni se duhet të jetoni sipas asaj që përfaqëson uniforma, e cila është një sjellje më higjenike si psh të mos prekni fytyrën tuaj ose duke shmangur vendet e mbushura me njerëz dhe distancimin shoqëror”– tha Donald Low, profesor në Universitetin e Shkencave dhe Teknologjisë në Hong Kong.

Pastaj, ekziston ideja që çdo gjë e vogël llogaritet në luftën me të cilën bota është vendosur kundër virusit.

“Ne nuk mund të themi nëse maskat në fytyrë janë joefektive, por supozojmë se ato kanë një efekt sepse kjo është mbrojtja që ne u japim punonjësve të kujdesit shëndetësor”– tha Benjamin Cowling, një epidemiolog me Universitetin e Hong Kongut.

“Nëse maskat për fytyrën përdoren nga shumë njerëz në zona të mbushura plot, unë mendoj se do të kishte një efekt në transmetimin publik, dhe në momentin që ne po kërkojmë çdo masë të vogël që të zvogëlojë transmetimin, ka kuptim” -shton ai.

Por ka edhe efekte anësore, natyrisht. Disa vende të tilla si Japonia, Indonezia dhe Tajlanda po përballen me mungesa në këtë moment, dhe Koresë së Jugut i është dashur t’i racionojë maskat.

Ekziston frika se njerëzit mund të përfundojnë duke i ripërdorur maskat (gjë e cila është johigjienike), se mund të përdorin maska të shitura në tregun e zi, ose të përdorin maska shtëpiake, të cilat mund të jenë me cilësi inferiore dhe të padobishme.

Njerëzit që nuk mbajnë maska në këto vende janë diskriminuar gjithashtu, deri në atë pikë sa ata janë injoruar dhe bllokuar nga dyqanet dhe ndërtesat.

Në Hong Kong, disa tabloide kanë publikuar fotografi të perëndimorëve që nuk mbanin maska dhe nuk mblidheshin në grupe dhe kanë kritikuar mërgimtarët dhe turistët për mos marrjen e masave të mjaftueshme.

Por diskriminimi funksionon në të dy mënyrat.

Në vendet ku përdorimi i maskës nuk është normë, siç është Perëndimi, ata që veshin maska janë shmangur ose madje janë sulmuar. Dhe fakti që shumë prej atyre që mbajnë maska janë aziatikë, nuk i ka ndihmuar këta të fundit.

Por ato shoqëri që i përkrahin të gjithë që mbajnë maska mund të kenë një argument dhe gjithnjë e më shumë, ekspertët tani po vënë në dyshim këshillat zyrtare të OBSH-së.

Rastet e pa dokumentuara

Së pari, ekzistojnë disa prova se ka më shumë “bartës të heshtur”, njerëz të shëndetshëm të prekur nga virusi që shfaqin pak ose aspak simptoma, sesa menduan fillimisht ekspertët.

Në Kinë, vlerësohet se një e treta e të gjitha rasteve pozitive nuk tregojnë simptoma, sipas të dhënave të klasifikuara të qeverisë Kineze të publikuara nga South China Morning Post.

Në anijen e lundrimit në Japoni “Princess Diamont”, rreth më shumë se gjysma e 600 rasteve pozitive në bord, nuk kishin simptoma.

Raste të ngjashme asimptomatike janë raportuar në Islandë, e cila po teston një pjesë më të lartë të qytetarëve sesa çdo vend tjetër në botë.

Mbizotëronte besimi se këta njerëz që nuk shfaqin simptoma, nuk janë shumë ngjitës. Por disa po e vënë në dyshim këtë tani. Ndoshta nëse të gjithë do të mbanin maskë, ata “bartës të heshtur” të virusit nuk do të shndërroheshin në “përhapës” të tij?

Një studim i publikuar së fundmi në Kinë zbuloi se “rastet e padokumentuara të infeksionit”, ose ato pa apo me pak simptoma të buta, ishin dukshëm ngjitës dhe mund të kishin qenë përgjegjës për gati 80% të rasteve pozitive të virusit.

Maska e fytyrës mund të jetë një produkt i historisë së fundit, përvojës me sëmundjet ngjitëse apo me normën kulturore. Por ndërsa shkalla e kësaj pandemie rritet, së bashku me provat dhe hulumtimet, sjellja jonë mund të ndryshojë përsëri.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e BBC/ Përshtatur në shqip nga Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *