Vendosni fjalën kyçe....

2 mjekë të tjerë të infektuar, spitali “Shefqet Ndroqi” kthehet në shërbim të pacientëve me koronavirus


Nga katër rastet e reja të konfirmuara sot me koronavirus, dy prej tyre janë mjekë të spitalit “Shefqet Ndroqi” në Tiranë.

Për shkak të rritjes së numrit të mjekëve të prekur nga ky spital në total në 8, Ministria e Shëndetësisë ka vendosur ta kthejë këtë spital të posaçëm për të trajtuar koronavirusin.

“Pas hetimit të hollësishëm epidemiologjik në spitalin “Shefqet Ndroqi”, kanë dalë pozitiv edhe 2 raste personel shëndetësor që kanë qenë në kontakt me pacientin, i cili aktualisht po trajtohet në spitalin infektiv dhe që, më herët ka qenë i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”. 
Nga hetimi i kryer, janë testuar 89 personel shëndetësor në spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe prej tyre kanë rezultuar 8 mjekë dhe infermierë pozitivë. Duhet thënë që të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të vetëkarantinuar.
Spitali “Shefqet Ndroqi” do të kthehet në spital COVID, sipas skenarëve, për të lehtësuar edhe fluksin në spitalin Infetiv dhe Ministria e Shëndetësisë po merr masa për zëvendësimin e personelit me mbi 2200 vullnetarët që i janë përgjigjur thirrjes për të ndihmuar stafet mjekësore në terren.”- tha Silva Bino.

Duke llogaritur edhe rastin në Durrës, numri në total i mjekëve të prekur ka shkuar në 9.

Rastet e mjekëve dhe infermierëve me koronavirus në spitalin “Shefqet Ndroqi”, i cili njihet gjerësisht edhe si Sanatoriumi, kanë ngritur shqetësimet mbi sigurinë e bluzave të bardha në luftën ndaj këtij virusi.

Të vendosur në frontin e kësaj “lufte”, mjekët dhe infermierët detyrimisht janë më të predispozuar për t’u infektuar.

Pak ditë më parë, zv.ministrja e Shëndetësisë Mira Rakaçolli tha se epidemia te Sanatoriumi në Tiranë, është përhapur nga një pacient i cili ishte vizituar nga një i afërm që kishte qenë në Itali kohët e fundit.

“Në lidhje me personelin mjekësor që punon në Spitalin Mjekësor të Sëmundjeve Infektive në “Shefqet Ndroqi”, dua të sqaroj publikun se Instituti i Shëndetit Publik është duke kryer një hetim të plotë epidimiologjik të rastit. Njëri prej pacientëve që aktualisht po trajtohet në Spitalin Infektiv, ka qenë i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”.

Sipas të dhënave, nga gjurmimi i kryer, ky pacient është vizituar në spital nga një i afërm, që vinte nga Italia, nga zonat e prekura dhe nuk e ka dhënë këtë informacion në stafet mjekësore.”, janë fjalët e zv.ministres./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *