Vendosni fjalën kyçe....

7 mjekë të infektuar në Shqipëri, a duhen shtuar masat mbrojtëse për bluzat e bardha?


Rastet e mjekëve dhe infermierëve me koronavirus në spitalin “Shefqet Ndroqi”, i cili njihet gjerësisht edhe si Sanatoriumi, kanë ngritur shqetësimet mbi sigurinë e bluzave të bardha në luftën ndaj këtij virusi.

Të vendosur në frontin e kësaj “lufte”, mjekët dhe infermierët detyrimisht janë më të predispozuar për t’u infektuar, e kjo është një nga arsyet pse atyre iu nevojiten veshjet speciale për t’i mbrojtur nga ekspozimi para virusit. E në vendin tonë, numri zyrtar i mjekëve dhe infermierëve të infektuar ka shkuar në 7.

RASTI NË TIRANË

Zv.ministrja e Shëndetësisë Mira Rakaçolli ka treguar se epidemia te Sanatoriumi në Tiranë, është përhapur nga një pacient i cili ishte vizituar nga një i afërm që kishte qenë në Itali kohët e fundit.

“Në lidhje me personelin mjekësor që punon në Spitalin Mjekësor të Sëmundjeve Infektive në “Shefqet Ndroqi”, dua të sqaroj publikun se Instituti i Shëndetit Publik është duke kryer një hetim të plotë epidimiologjik të rastit. Njëri prej pacientëve që aktualisht po trajtohet në Spitalin Infektiv, ka qenë i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”.

Sipas të dhënave, nga gjurmimi i kryer, ky pacient është vizituar në spital nga një i afërm, që vinte nga Italia, nga zonat e prekura dhe nuk e ka dhënë këtë informacion në stafet mjekësore.”, tha Rakacolli. Pra sipas Ministrisë së Shëndetësisë faji mbetet i të afërmit nga Italia që ka vizituar pacientin dhe nuk ka treguar për udhëtimin e tij. Por situata tregon që kjo nuk lihet në dorë të qytetarit.

RASTI NË DURRËS

Po ashtu edhe rasti në spitalin e Durrësit dëshmon të njëjtën gjë. Gruaja 73-vjeçare e cila fatkeqësisht kishte ndërruar jetë, nuk kishte treguar se ajo ishte kthyer nga Italia. Rasti i saj ngriti alarmin për shëndetin e personelit mjekësor të spitalit. Por sipas Ministrisë së Shëndetësisë, deri tani vetëm njëri ka rezultuar pozitiv.

Rasti në Durrës ka treguar se qeveria nuk ka qenë e shpejtë në reagim, duke i testuar mjekët pjesë-pjesë, e ndërsa ka patur dhe disa deklarata kontradiktore nga Ministria e Shëndetësisë lidhur me trajtimin e situatës.

Pasi u ngrit shqetësimi për shëndetin e mjekëve e infermierëve, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe kryeministri Edi Rama u nxituan duke dalë në një deklaratë të përbashkët dy ditë më parë, për të thënë se asnjë mjek apo infermier i spitalit të Durrësit nuk është infektuar. Madje ata deklaruan se po jepnin “një lajm të gëzuar”, ndërsa dënuan sipas tyre propagandën që po përhap panik. E vetëm dy ditë më pas, Manastirliu nuk doli vetë por nxorri zv.ministren Mira Rakaçolli për të dhënë lajmin e keq se një mjek i këtij spitali është konfirmuar me koronavirus.

Zv.ministrja tha se nga 39 mjekë e infermierë që janë testuar në 24 orët e fundit, vetëm njëri ka rezultuar pozitiv e shtoi se priten rezultatet e testimeve të 50 personave të tjerë.

Është e paqartë se pse mjekët në Durrës u testuan pjesë-pjesë, kur vetëm pak kohë më parë specialistja e Shëndetit Publik Silva Bino, e ftuar në emisionin “Opinion” tha se laboratori i ISHP-së mund të kryejë deri në 300-500 testime në ditë për koronavirusin. Ndërkohë që testimet për mjekët e Durrësit nuk i ka mbuluar njëkohësisht edhe pse ISHP-ja i paska kapacitetet.

Videoja e Silva Binos në rrjet është fshirë nga grupi “Acromax” dhe nuk po lejohet më të qarkullojë qëkurse epidemia shpërtheu dhe në vendin tonë.

Pa shkuar më tej në akuzat e PD-së se maskat që iu janë shpërndarë mjekëve janë të skaduara, të gjitha këto raste kanë dëshmuar se në vend duhen përforcuar masat për mbrojtjen e personelit mjekësor pasi në rast të shtimit të të sëmurëve në radhët e tyre, do zvogëlohen kapacitetet për kujdes shëndetësor, duke çuar në një krizë më të madhe.

Thirrja e Ministres Ogerta Manastirliu për të gjithë profesionistët e shëndetësisë për të shërbyer vullnetarisht në sistemin shëndetësor, për përballimin e situatës dhe joshja e tyre me 1 mijë euro bonus është tregues i nevojës që ka vendi.

A duhen pajisur të gjithë mjekët me veshje speciale?

Një debat i madh lidhur me veshjet mbrojtëse, me qeverinë e cila këmbëngul se bluzat e bardha janë të pajisura me veshjet speciale, por ndërkohë ka patur denoncime se kjo nuk është e vërtetë në të gjitha rastet.

Pak ditë më parë mjeku Ilir Allkja u shfaq në një video të kryedemokratit Lulzim Basha për të denoncuar mungesën e veshjeve speciale për mjekët.

E pasi qeveria e akuzoi se po mashtronte, ai sqaroi se nuk kishte thënë se nuk ka fare veshje, por se veshjet speciale përdoren vetëm në rastet kur paraprakisht raportohen nga Zyra e Koordinimit si raste të dyshuara me koronavirus.

“Në asnjë rast nuk kam thënë që Shërbimi i Urgjencës nuk ka veshje special, por kam thënë që ato veshje përdoren vetëm për raste që paraprakisht raportohen nga Zyra e Koordinimit të Urgjencës si të dyshuara me coronavirus.

Rasti për të cilin jam detyruar të vetëizolohem, më është raportuar nga Zyra e Koordinimit të Urgjencës pa shenja të ngjashme me atë të koronavrusit, prandaj dhe nuk jemi pajisur me veshjen special për të kryer vizitën në atë rast! Pas kontrollit, personi ka pasur shenja të ngjashme me ato të koronaviruesit dhe në këtë moment është person i dyshuar si i infektuar me koronavirus”-janë fjalët e tij.

E pas këtij denoncimi ai mësoi lajmin se ishte shkarkuar nga puna, gjë për të cilën akuzoi kryeministrin Edi Rama se po merrte hak për shkak se ai zbuloi një të vërtetë.

Infektimi i 6 mjekëve nga spitali Shefqet Ndroqi, duket se i jep përgjigje pyetjes së madhe se: A duhet të mbajnë të gjithë mjekët veshje speciale, apo vetëm ata që po trajtojnë rastet e njohura?/Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *