Vendosni fjalën kyçe....

Në gjimnazin “Janaq Kilica” mësimi nis pa dalë analizat, një nxënëse dërgohet me urgjencë në spital


Vijojnë problemet në gjimnazin “Janaq Kilica” në qytetin e Fierit. Sipas Shqiptarja.com, një nxënëse është dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të qytetit pasi nuk është ndjerë mirë kur është futur në ambientet e shkollës ku një ditë më parë ishte hedhur një lëndë helmuese.

Një ditë pasi 58 nxënës e dy mësues u dërguan në spital me shenja helmimi, mësimi sot nisi si normalisht edhe pse ende nuk kanë dalë përgjigjet e analizave për sigurinë në ambientet e shkollës. Fëmijët janë paraqitur në ambientet e shkollës të shoqëruar nga prindërit, të cilët mbeten ende të shqetësuar nga ngjarja e djeshme. Por prindërit s’janë lejuar të futen brenda ambienteve të shkollës. Sot policia njoftoi se ka marrë nën hetim dy 15-vjeçarë, të cilët dyshohen se kanë hedhur një lloj spraji.

Ngjarja në gjimnazin “Janaq Kilica” është një rast i përsëritur. Një javë më parë, disa nxënës shfaqën simptoma helmimi, të ngjashme me rastin e djeshëm. Por ngjarja është raportuar si një reaksion kimik që ishte zhvilluar në ambientet e shkollës.

Por, pas rastit të djeshëm, drejtoresha e shkollës Firiniqi Fuli tha se ka qenë një nxënës fajtor i cili ka hedhur një spraj. Ditën e djeshme, ministrja e Arsimit Besa Shahini, zbriti në terren për të parë nga afër situatën në shkollën e mesme në Fier, Janaq Kilica.

Pasi vizitoi  nxënësit në spital, ajo tha se nuk ka asnjë dëmtim serioz nga lënda e hedhur e cila komplikoi situatën shëndetësore.

Më tej lidhur me shkakun dhe masat, ministrja e Arsimit tha se ndaj nxënësit që hodhi sprajtin do merren masat pasi të dalin rezultatet e policisë, duke e cilësuar këtë situatë të patolerueshme.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *