Vendosni fjalën kyçe....

Helmimi i 58 nxënësve në Fier, policia merr nën hetim dy 15-vjeçarët


Dy nxënës të moshave 15-vjeç A.M dhe A.H. janë vënë nën hetim nga policia, pasi dyshohen se kanë hedhur spraj piperi në gjimnazin “Janaq Kilica” në Fier ku u helmuan rreth 60 nxënës.

“Procedohen penalisht 2 nxënës të shkollës së mesme në Fier, të cilët dyshohen se kanë përdorur sprajt me lëndë gazi, në ambientet e brendshme të shkollës.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, nën drejtimin e Prokurorisë Fier, zbardhën ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, ku si pasojë e përdorimit të një sprajti me lëndë gazi, në ambientet e brendshme të shkollës, disa nxënës shfaqën shqetësime me frymëmarrjen dhe pasi morën ndihmën e parë në Spitalin Rajonal Fier, u larguan për në banesë.

Në përfundim të veprimeve hetimore rezultoi se sprajti ishte përdorur nga 2 nxënës të kësaj shkolle, konkretisht A. M., 15 vjeç dhe A. H., 15 vjeç, të cilët u proceduan penalisht.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Ndotja e ajrit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.”– thuhet në njoftimin e policisë.

Sot në ambientët e shkollës, ka rinisur mësimi si normalisht. Fëmijët janë paraqitur në ambientet e shkollës të shoqëruar nga prindërit, të cilët mbeten të shqetësuar nga ngjarja e djeshme. Por prindërit s’janë lejuar të futen brenda ambienteve të shkollës.

58 nxënës dhe 2 mësues morën dje mjekim në Spitalin e Fierit. 14 prej tyre janë në gjendje më të rëndë dhe vijojnë të marrin mjekim. Pjesa tjetër ka lënë ambientet e spitalit. Ngjarja në gjimnazin “Janaq Kilica” është një rast i përsëritur. Një javë më parë, disa nxënës shfaqën simptoma helmimi, të ngjashme me rastin e djeshëm. Por ngjarja është raportuar si një reaksion kimik që ishte zhvilluar në ambientet e shkollës.

Por, pas rastit të djeshëm, drejtoresha e shkollës Firiniqi Fuli tha se ka qenë një nxënës fajtor i cili ka hedhur një spraj. Policia dha të njëjtin version dje, duke thënë se dyshohet se është hedhur spraj piperi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *