Vendosni fjalën kyçe....

Aktorja Julie Walters zbulon se është diagnostifikuar me kancer


Aktorja Julie Walters ka zbuluar se ajo është diagnostikuar me kancer të zorrës në fazën e tretë. Në një intervistë për BBC, aktorja tha se në fillim mendoi se doktorët “duhet të kenë bërë një gabim”.

Por pasi i është nënshtruar kimioterapisë tanimë është e qartë për të. Ajo tha se filmi i saj i ardhshëm “Secret Garden”, mund të jetë filmi i fundit i saj, megjithëse nuk është e sigurt nëse do të dalë në pension.

Aktorja, e cila ka luajtur në filma si “Mamma Mia”, apo “Billy Elliot” tha se ajo ishte diagnostikuar me kancer 18 muaj më parë dhe ishte në fazën e tretë, që do të thotë se kanceri është përhapur në nyjet limfatike aty pranë, por jo në pjesët e largëta të trupit. Ajo kishte dy tumore kryesore në zorrën e trashë.

Julie tha se ajo kishte mbajtur gjithnjë shpresën për një shërim, pasi mjeku i saj i kishte thënë: “Ne mund ta rregullojmë këtë”.

Por shtoi se kishte momente, veçanërisht para operacionit kur mendonte se nuk do ia dilte dot. Julie tha se pas operacionit, tanimë ajo ndihej mirë dhe kimioterapia nuk i kishte shkaktuar humbje të flokëve. Aktorja tha se diagnoza e kishte “ndryshuar plotësisht” perspektivën e saj drejt aktrimit.

“Personi para operacionit është i ndryshëm nga ky person.”– janë fjalët e saj. Dame Julie shtoi se në një farë mënyre, sëmundja e saj kishte dhe merita pasi e kishte lehtësuar nga marrja përsipër e punëve të lodhshme në filma dhe në televizion.

“Unë kisha për të bërë dy seri të mëdha … dhe ishin dy filma. Dhe unë thjesht nuk duhej të bëja asnjërin prej tyre. Dhe kjo ishte e mrekullueshme.”- thotë ajo.

E pyetur nëse “Secret Garden” mund të ishte filmi i saj i fundit, ajo tha se kjo ishte e mundur.

“Do të duhej të ishte diçka me të cilën jam e lidhur vërtetë që të marr një rol tjetër. Unë nuk po them se nuk do të aktroj kurrë më. Por sigurisht nuk mendoj se mund të kthehem në një film që kërkon punë gjashtë ditë në javë, nga ora pesë në mëngjes deri në orën shtatë të natës.”- shprehet aktorja.