Vendosni fjalën kyçe....

Kuvendi shtyn votimin për ‘Paketën Antishpifje’: Presim Komisionin e Venecias


Duke qenë se Komisioni i Venecias ka vendosur që të shqyrtojë Paketën Antishpifje, Kuvendi është tërhequr sot nga votimi për dy projektligjet për mediat audiovizive.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, tha se Komisioni i Venecias do të diskutojë në procedurë të përshpejtuar më 21 mars, ndërsa shtoi se në Tiranë pritet të vijë në delegacion në muajin shkurt.

“Historia e informalitetit në sektorin e medias duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë. E mora fjalën për të informuar Kuvendin, që edhe pas miratimit të paketës ‘Anti-Shpifje’ ne kemi komunikuar me partnerë të rëndësishëm të Shqipërisë. Ne jemi anëtarë prej vitesh në Këshillin e Europës. Dua të ndaj me ju se me reporterët, kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm për disa çështje dhe kemi vendosur që të kërkohet një opinion më i thelluar nga institucioni, që ne shqiptarët e kemi gjithëpranuar, jo vetëm ne, sikur se është Komisioni i Venecias. Dua t’ju informojë se sapo më ka ardhur komunikim nga Komisioni i Venecias. Komisioni i Venecias ka pranuar që ta shqyrtojë me procedurë të përshpejtuar në sesionin e 21 marsit. Gjatë muajit shkurt përfaqësues të Komisionit të Venecias do të vinë në Trianë për të dialogur me ne, me këdo. Votimi i dekretit për mediat audiovizive, diskutimi për të të shtyhet, deri sa Komisioni i Venecias të na sjellë raportin e vet, më 20-21 mars.”, tha Balla.

Pas propozimit të Ballës, edhe deputetët e tjerë e mbështetën shtyrjen e votimit të dekretit të presidentit për dy projektligjet për median.

Paketa “Anti-Shpifje” e propozuar nga maxhoranca ka nxitur reagime të forta në Shqipëri, pasi është kundërshtuar jo vetëm nga opozita, analistët, gazetarët e shoqëria civile, por edhe nga shoqata ndërkombëtare, që e shohin miratimin e dy projektligjeve si cënim të fjalës së lirë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *