Vendosni fjalën kyçe....

U kthye nga Kina, flet studentja shkodrane: Qyteti ku studioj unë ka disa të infektuar


Lorela Shelegu, është një studente nga Shkodra që prej 3 vitesh studion arkitekturë në Kinë. Vetëm para pak kohësh, Shelegu u kthye në Shqipëri për të kaluar pushimet por pasi qarkulluan lajmet për koronavirusin, ajo iu nënshtrua vizitave mjekësore dhe ka rezultuar se nuk ka asnjë problem.

“Jam studente në Kinë, studioj në Janxhin për Arkitekturë. Erdha në 13 janar të këtij viti, pasi kemi dhe pushime të semestrit në shkollë. Në momentin që kam ikur s’kam pasur dijeni për virusin. Është përhapur pak ditë pasi kam ikur unë. Personalisht i kam kryer vizitat. Pavarësisht se kam ikur pak më herët, rezultat kanë dalë shumë mirë.”– thotë Shelegu në një prononcim për News 24.

Ajo thotë se për momentin universiteti i saj në qytetin e Tianjin ka shtyrë procesin mësimor dhe nuk ka ende një datë se kur duhet të kthehet. Në qytetin ku ajo jeton e studion, janë raportuar disa persona të infektuar. Megjithatë Shelegu, shton se në rast se në shkollë do t’i thonë se situata është në rregull dhe mund të kthehet, ajo do ta bëjë këtë pasi i beson autoriteteve kineze. Edhe pse deri më tani janë konfirmuar 170 viktima, Shelegu shprehet se sipas saj mediat e kanë ekzagjeruar me raportimin e situatës në Kinë.

“Presim një përgjigje prej shkollës. Procesi mësimor është shtyrë. Nuk ka asnjë datë fikse se kur do të nisë. Momentalisht ne presim një përgjigje prej universitetit, ama na kanë udhëzuar që mos të bëjmë asnjë lëvizje derisa të marrim një përgjigje konkrete. Qyteti ku jam unë është relativisht larg qytetit të Wuhan-it por është shumë afër kryeqytetit të Pekinit. Ka të infektuar. Një numër i vogël në krahasim me Wuhan. Mediat e kanë ekzagjeruar pak më shumë. Shteti është në gatishmëri, i kanë marrë të gjitha masat dhe unë besoj se kjo situatë do të kalojë shpejt. Unë komunikoj me ata. Ka shumë studentë dhe njerëz që punojnë në Kinë dhe shqetësimi është i madh. Nëse na jepet konfirmimi nga personat përgjegjës, patjetër do të shkoj.”– vijon studentja shqiptare.

Ajo tregon se një pjesë e studentëve janë kthyer në Shqipëri, mirëpo ka ende shumë shqiptarë që ndodhen atje, megjithatë janë në kontakt të vazhdueshëm me Ambasadën Shqiptare.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *