Vendosni fjalën kyçe....

Akuzohen se i vunë gjobë një personi, ndalohen teksa po shkonin të merrnin lekët (Video)


Dy persona janë arrestuar në Tiranë, pasi ishin shpallur në kërkim. Në pranga janë vënë 37-vjeçari N.F, me identitet edhe A.T., banues në Durrës si dhe 43-vjeçari E.L., me identitet edhe G.G., banues në Tiranë.

N.F., ishte shpallur në kërkim nga policia e Tiranës kurse E.L., nga policia italiane pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin i kishin vënë gjobë një personi.

Arrestimi ndodhi në momentin kur dy personat e ndaluar po shkonin të merrnin sasinë e lekëve.

Gjatë kontrollit atyre u është bllokuar një mjet me fenelina dhe sirenë policie, një patentë e falsifikuar, dy karta italiane të falsifikuara dhe një sasi parash.

Njoftimi i policisë

‘Vihet në pranga një 43-vjeçar, me masë sigurie ‘Arrest shtëpie’, person i dyshuar për veprimtari  kriminale në Itali si dhe një 37-vjeçar, person i shpallur në kërkim disa ditë më parë nga Komisariati i Policisë Nr. 2.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale një automjet i pajisur me fenelina e sirenë policie, 2 karta italiane të falsifikuara dhe një patentë e falsifikuar, të cilat i përdorte personi në kërkim ndërkombëtar, si dhe një sasi parash.

Specialistët për hetimin e krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2, pas informacioneve të marra se dy shtetas i kishin vënë gjobë për dhënie parash një shtetasi dhe kishin lënë vendtakim për të marrë paratë, kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Tiranë, duke përdorur edhe metodat proaktive, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar ‘TAKIMI’.

Si rezultat i operacionit, në afërsi të Fushës së Aviacionit, është bërë i mundur bllokimi i automjetit me të cilin qarkullonin dy shtetasit e dyshuar N. F. alias A. T., 37 vjeç, banues në Durrës, i shpallur në kërkim policor nga Komisariati i Policisë Nr. 2 dhe E. L. alias G. G., 43 vjeç, banues në Tiranë, i kërkuar në Itali, pasi Gjykata e Milanos ka lëshuar urdhër-arresti, për kryerjen e veprave penale ‘Bashkëpunim kriminal, me qëllim trafik droge’. Ndaj shtetasit G. G., i cili ishte me masë sigurie ‘Arrest shtëpie’ kanë nisur procedurat nga drejtësia shqiptare për njësim vendimi.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri tjetrin, i kishin vënë gjobë një shtetasi dhe kishin lënë vendtakimi për të marrë paratë.

Në momentin e ndalimit të mjetit nga Policia, mjet i pajisur me fenelina dhe sirenë policie, këta shtetas u kanë dhënë gjeneralitete të tjera shërbimeve të Policisë, por pasi janë shoqëruar në ambientet e Policisë dhe pas verifikimeve të kryera rezultoi se të dy këta shtetas ishin të shpallur në kërkim.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit E. L. alias G. G., 43 vjeç, banues në Tiranë, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një patentë të falsifikuar, dy karta italiane të falsifikuara, të cilat i përdorte ky shtetas për t’iu shmangur identifikimit nga Policia, si dhe një sasi parash.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë  i shtetasve: N.F. alias A. T., 37 vjeç, lindur në Kuçovë dhe banues në Durrës, për veprat penale ‘Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, në bashkëpunim’, ‘Përndjekja’, ‘Kanosja’, ‘Vetëgjyqësia’ dhe ‘Mbajtja pa të drejtë e uniformës’.

E. L. alias G. G.(V.), 43 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues ne Tiranë, për veprat penale ‘Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, në bashkëpunim’, ‘Përndjekja’, ‘Kanosja’, ‘Vetëgjyqësia’, ‘Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit’ dhe ‘Falsifikimi i dokumenteve’.

Materialet e grumbulluara iu dërguan Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të shtetasve të sipërpërmendur, për veprime të mëtejshme.’


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *