Vendosni fjalën kyçe....

Oslo shënon rekord, vetëm një person vdiq nga aksidentet në rrugë në 2019-ën


Kryeqyteti i Norvegjisë ka arritur qëllimin e tij  “Vision Zero”, duke shënuar vetëm një viktimë nga aksidentet rrugore gjatë vitit që sapo lamë, duke u bërë kështu qyteti më i sigurtë, përsa i përket sigurisë në rrugë.

Siç shkruan ‘The Independent’, vetëm një person ka humbur jetën në vitin 2019 në Oslo, si pasojë e aksidenteve në trafik, duke përfshirë këtu të gjitha grupmoshat.

Sipas shifrave zyrtare, për herë të parë asnjë fëmijë nën moshën 16 vjeç nuk vdiq në trafik në Norvegji gjatë 2019-ës.

Megjithatë, më shumë njerëz kanë humbur jetën në aksidente në pjesën tjetër të vendit në krahasim me një vit më parë – 110 në krahasim me 108 në 2018. Shifra të cilat megjithatë mbeten më të ulëtat në Europë.

Gazeta lokale Aftenposten raportoi se numri i dytë më i ulët i vdekjeve në trafik ishte në vitin 2017, kur tre persona vdiqën në rrugët e Oslo-s.

Në të njëjtin vit, Norvegjia regjistroi numrin më të ulët të vdekjeve në trafik në Evropë duke raportuar gjithsej 20 incidente për një milion banorë.

Shifrat nga Administrata Norvegjeze e Rrugëve Publike treguan se në 50 vitet e kaluara, numri i vdekshmërisë në rrugët e qytetit ka rënë në mënyrë drastike, nga 41 vdekje në 1975-ën.

Vendet më të rrezikshme në BE për sigurinë rrugore janë Bullgaria dhe Rumania, që kanë mesatarisht mbi 90 vdekje për një milion banorë.

Iniciativa ‘Vision Zero’ konsiston në uljen e numrit të makinave në qendrën e qytetit. Shumë pak makina lejohen të qarkullojnë në qendër të kryeqytetit norvegjez, një nismë kjo që është zbatuar rregullisht gjatë 5 viteve të fundit.

Po kështu, është ulur ndjeshëm edhe numri i parkimeve të automjeteve në qendër të Oslos. Këto vendparkime janë zëvendësuar me korsi biçikletash dhe shtim të trotuareve. Në shumë rrugë kryesore të Oslos ndalohet qarkullimi i makinave.