Vendosni fjalën kyçe....

Dorëhiqet zyrtarja e lartë shëndetësore në SHBA


Dr. Rochelle Walensky, drejtore e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), do largohet nga posti i saj në fund të qershorit, tha të premten Shtëpia e Bardhë. Vetë Walensky e konfirmoi lajmin menjëherë më pas.

Walensky ‘ka shpëtuar jetë me fokusin e saj të palëkundur në shëndetin e çdo amerikani,’ tha një deklaratë nga presidenti Joe Biden, duke e përgëzuar atë për udhëheqjen e ‘një organizate komplekse në vijën e parë të pandemisë, me ndershmëri e integritet’.

Ajo do largohet nga CDC ‘një institucion më i fortë, i pozicionuar më mirë për t’u përballur me kërcënimet shëndetësore dhe për të mbrojtur amerikanët’, përfundoi deklarata.

Në deklaratën e saj publike, Walensky përmendi fundin e urgjencës së shëndetit publik Covid-19 si një kohë e mirë për të bërë ‘kalimin e jashtëzakonshëm’. Ajo tha se qëllimi i saj ishte të linte pas ‘ditët e errëta të pandemisë dhe të lëvizte CDC dhe shëndetin publik, përpara në një vend më të mirë dhe më të besueshëm;.

CDC ‘shpëtoi dhe përmirësoi jetë dhe mbrojti vendin dhe botën nga kërcënimi më i madh i sëmundjes infektive që kemi parë në mbi 100 vjet,’ tha Walensky.

Biden kishte zgjedhur Walensky-n për të kryesuar CDC edhe para se të betohej. Ajo kishte qenë profesoreshë e mjekësisë në Shkollën Mjekësore të Harvardit që nga viti 2012 dhe ishte më e njohur për zhvillimin e strategjive të vaksinimit për ‘komunitetet e pashërbyera’ dhe kërkimin për SIDA-n në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë.

Walensky ndihmoi në zbatimin e strategjisë së Biden-it për Covid-19 për vendosjen e urdhrave të maskave dhe vaksinave, të cilat rezultuan jopopullore dhe kryesisht joefektive. Në gusht 2021, ajo thirri kompetencat e urgjencës pandemike për të zgjatur moratoriumin e dëbimit të vendosur më parë nga Kongresi. Kjo u rrëzua nga Gjykata e Lartë e SHBA-së në vitin 2021, si tejkalim i autoritetit të CDC.

Në tetor 2022, Walensky rezultoi pozitive për koronavirusin, vetëm një muaj pasi bëri dozën përforcuese. Pasi iu nënshtrua trajtimit me ilaçin antiviral të Pfizer Paxlovid, ajo doli sërish pozitive.