Vendosni fjalën kyçe....

5 propozimet e Bashës për Rimëkëmbjen: Bizneset e prekura nga tërmeti të kenë lehtësi fiskale


Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka vizituar disa biznese të prekura nga tërmeti në qytetin e Durrësit.

Basha tha se në mënyrë që këto biznese të mos përballen me falimentimin, duhet të përfitojnë lehtësira nga qeveria.

Ai tha se opozita ka propozuar një plan me 5 pika, që ofron lehtësi fiskale për biznesin, sipas përvojës së ndjekur nga Italia në situatë të njëjtë pas tërmetit në Aqulia.

“Të gjitha bizneset; bizneset e vogla, bizneset e Durrësit duhet të përfitojnë nga masa lehtësuese. Kështu ka ndodhur kudo kur janë goditur ekonomitë lokale nga tërmeti. Durrësi nuk është thjesht ekonomi lokale, është ekonomia e dytë më e madhe pas Tiranës. Po u fut Durrësi në kolaps ekonomik të thellë për shkak të tërmetit, se në kolaps ekonomik kemi qenë edhe përpara tërmetit, atëherë e merr gjithë Shqipërinë me vete. Prandaj kemi propozuar ato 5 masa:

  1. Pezullim të faturave të energjisë dhe të ujit.
  2. Pezullim të të gjitha taksave vendore, duke përfshirë taksën e pronës,
  3. Pezullim dhe shtyrje e pagesës me këste të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore
  4. Anulim i çdo takse të tatim-fitimit apo taksa të tjera për të gjithë kohën derisa situata të normalizohet.
  5. Përjashtim nga TVSH për lëndët e para dhe materialet që përdoren për rikuperimin e dëmeve.

Këto pesë pika i japin mundësi biznesit ta mbajë kokën mbi ujë”, tha Basha.

Kryedemokrati këmbënguli se nëse kjo paketë lehtësuese nuk zbatohet nga qeveria, biznesi do të vuajë pasoja të rënda.

“Veprimtaria juaj fiskale duhet pezulluar. Shteti s’mund t’ju marrë asnjë cent, s’mund t’ju tatojë gjatë kohës që ju nuk punoni. Dhe kjo nuk është mëshirë, kjo është normale. Si mund të tatosh një biznes që nuk punon për shkak të një fatkeqësie natyrore?! E dyta duhet të keni mundësinë që të mbështeteni në të njëjtën mënyrë si banorët dhe banesat për rimëkëmbjen e biznesit. Në Itali, ku ra tërmeti i madh para dy vjetësh, bizneset janë mbështetur deri në 100% të vlerës së dëmit, njësoj si banesat.”- tha kreu i PD-së.

Paketa me 5 pika u propozua nga Basha që gjatë javës së shkuar pasi inspektoi bizneset e Durrësit, Krujës dhe qarkut të Lezhës, të cilët kanë pësuar dëme të mëdha materiale dhe për shkak të ndërprerjes së punës dhe largimit të forcës punëtore.