Vendosni fjalën kyçe....

Albana Vokshi për mbylljen e “JOQ”: Rama po përdor gjendjen e emergjencës për hakmarrje ndaj mediave


Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka reaguar lidhur me mbylljen e portalit “Jeta Osh Qef”.

Vokshi thotë se kjo është një hakmarrje personale e kryeministrit Edi Rama ndaj portalit, pasi ka qenë ndër portalet që ka publikuar pa censurë shqetësimin e qytetarëve.

“Edi Rama po e përdor fatkeqësinë kombëtare dhe gjendjen e emergjencës për hakmarrje ndaj mediave kritike. Portali Jeta Osh Qejf është njëri prej tyre, prandaj Edi Rama ka urdhëruar mbylljen e kësaj media online.

Jeta Osh Qejf, prej vitesh është ndër portalet më të klikuara në Shqipëri. Në një format ndryshe, portali u bë i njohur për publikimin pa censurë të shqetësimit të qytetarëve, për denoncimin e keqqeverisjes, mungesës së shërbimeve nga institucionet shtetërore dhe korrupsionin e tyre, pavarësisht se kush qeveris vendin.

Gjatë këtyre ditëve të fatkeqësisë kombëtare,  JoQ, ka qenë ndër portalet më aktive duke informuar në kohë reale për situatën e rëndë në zonat e prekura nga tërmeti, si dhe duke bërë transparencë në lidhje me keqmenaxhimin e situatës nga ana e qeverisë, abuzimin me fondet e emergjencës, vjedhjen e ndihmave.

Urdhri për të mbyllur Jeta Osh Qef dhe procedimi penal për administratorët e JoQ nuk ka lidhje me lajmet e pavërteta, të cilat mund të ndodhin, kur qeveria ka lënë qytetarët dhe mediat në terr informativ. Mbyllja e JoQ është hakmarrje personale e Edi Ramës për një media online që refuzon teatrin e kryeministrit nga germadhat e tërmetit.“, shkruan Vokshi.

I pari që e bëri publik lajmin për mbylljen e aksesit për Shqipërinë të këtij portali, ishte ish-kryeministri Sali Berisha.

Më pas reagoi edhe vetë “Jeta Osh Qef” përmes një postimi në rrjete sociale, duke thënë se vendimi i Ramës tregon se si ai po rivendos diktaturën në vend. Sipas këtij portali, Rama ka marrë këtë vendim pasi i ka nxjerrë “të palarat” dhe skandalet.

Rama kishte paralajmëruar më herët se do merrte masa të tilla ndaj portaleve dhe kanaleve të tjera të informimit, nëse përhapin panik në këtë rast emergjence prej tërmeteve.

Masa e marrë ndaj “JOQ” nënkupton që të gjithë përdoruesit, mund ta shohin nga jashtë vendit faqen, por jo brenda Shqipërisë. Më herët,  policia procedoi dy administratorët e “JOQ”, Erland Dalliu dhe Gentian Çengeli, për përhapjen e njoftimeve të rreme të cilat hapin panik.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *