Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Studentët e mjekësisë duhet të punojnë 5 vjet në Shqipëri që të marrin diplomën, detyrimi i çdo shteti për t’u kujdesur për shëndetin e njerëzve


Kryeministri Edi Rama bëri publik sot vendimin e qeverisë për studentët e mjekësisë që regjistrohen në vitin e parë, të cilët do duhet të punojnë për 5 vite pas mbarimit të studimeve për të marrë diplomën.

Rama tha se ky hap është i domosdoshëm në kushtet kur shumë vende po përballen me demografinë dhe plakjen e popullsisë, të cilat janë bërë stacion për puntorët nga jashtë, duke shtuar se mjekësia është një profesion i lidhur drejtpërdrejt me detyrimin e çdo shteti për t’u kujdesur për shëndetin e njerëzve

 

“Jam këtu për të dhënë një mesazh lidhur një vendim të rëndësishëm të qeverisë sot që ka të bëjë me studentët e mjekësisë dhe me detyrimin për të shërbyer në vend për një kohë të caktuar. Detajet do t’i shpjegojnë ministret, por thelbi është shumë i qartë për çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë që paguan taksa. Shteti e financon universitetin publik, në këtë rast formimin e mjekëve të rinj për të mbrojtur jetën dhe për të garantuar shëndetin e të gjithë qytetarëve të vet. Nuk është njësoj si profesionet e tjera.

Është një profesion i lidhur drejtpërdrejt me detyrimin e çdo shteti për t’u kujdesur për shëndetin e njerëzve dhe me të drejtën e çdo qytetari, e çdo familjeje, e çdo të moshuari dhe çdo fëmije për të pasur kujdes shëndetësor. Në kushtet kur Gjermania e para dhe vendet e tjera të pasura janë duke luftuar me demografinë e tyre, me plakjen e popullsisë, me nevojën gjithmonë e më të madhe për burime të freskëta që duhet të vijnë nga jashtë dhe kur janë bërë stacion i ndalesës së fundit për shumë profesionistë, për shumë njerëz të kualifikuar të të gjitha fushave, në këtë rast për mjekët ne e kemi absolutisht të domosdoshme të ndërmarrim këtë hap. Hapi më normal dhe hapi më i lehtë i mundshëm. Çdo student i mjekësisë që do të hyjë në universitetin e mjekësisë do të duhet paraprakisht të njihet me faktin që studimet i ka aq sa janë dhe për t’u pajisur me diplomë do duhen dhe 5 vite në shërbim të këtij populli. Për ata në proces vitet janë më të ulëta, të përshkallëzuara, por është absolutisht zgjedhja e tyre. Nuk është vetëm një zgjedhje. Për ata që do hyjnë në vitin e parë ka vetëm një zgjedhje. Nëse do duhet të studiojnë mjekësi në universitetin publik do duhet të pranojnë këtë kusht. Nuk është një kusht, por është formati i ri i universitetit të ri të mjekësisë për sa i përket marrjes së diplomës. Nuk ndryshon asgjë në thelb për të drejtën e ushtrimit të profesionit sepse ajo bëhet menjëherë pasi mbaron studimet, por këtu. Për këtë paguan populli taksa”, tha Rama.