Vendosni fjalën kyçe....

“Paketa Anti-KÇK” do të krjojë një polici dhe hetuesi private të Kryeministrit Rama


E ashtuquajtura “Paketa Speciale Anti-KÇK”, që pritet të prezantojë sot Kryeminsitri Rama, krijon praktikisht një polici dhe hetuesi personale të Kryeministrit. Exit Neës ka parë dhe analizuar një draft të paketës ligjore, përmbajtja e s cilës krijon shqetësime serioze.

Kryeministri e ka propaganduar këtë paketë si një hap të rëndësishëm në “luftën kundër terrorizmit, mafies e krimit të organizuar, ky mekanizëm do shkatërrojë themelin e foleve të krimit”.

Por, në realitet, duket se paketa ka synimin t’i japë një njësie speciale pranë Kryeministrit, jashtë sistemit të drejtësisë dhe krejtësisht të pambikëqyrur, kompetencat e një policie sekrete dhe shërbimi inteligjence—pushtet që do të krijojë hapësirë të jashtëzakonshme për abuzimin dhe përdorimin e saj politik.

Mbi të gjitha, strukturat dhe procedurat e reja, që synon të krijojë kjo paketë, dublojnë dhe marrin kompetencat që i janë dhënë prokurorisë antikorrupsion dhe antikrim SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Jo rastësisht në paketë thuajse nuk ka asnjë referencë ndaj SPAK-ut dhe BKH-së.

Paketa është hartuar në mënyrë jotransparente dhe nuk është e qartë se kush është përfshirë në krijimin e saj. Sipas gazetës shqiptarja.com, qeveria shqiptare ka punësuar ekspertë izraelitë për hartimin e kësaj pakete, por shkrimi nuk bën të ditur se kush janë këta ekspertë, si janë rekrutuar dhe kush i ka paguar.

Çfarë është ‘Paketa Anti-KÇK’

Paketa krijon një njësi hetimi nën Policinë e Shtetit, nën varësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, e cila do të ndahet në dy drejtori: Drejtoria e Antiterrorit dhe Drejtoria e Krimit të Organizuar. Ato do të vendosen në një ndërtesë speciale. Kjo njësi do të ketë 12 drejtori rajonale të vendosura në 12 drejtoritë rajonale të policisë.

— Njësia do të hetojë çdo krim të parashikuar në kodin penal – nga vjedhja me armë, te droga, grupi i strukturuar kriminal, vrasja, falsifikimet, plagosja, rrëmbimi, prostitucioni, korrupsioni i çdo zyrtari publik. Ajo do të hetojë edhe individët përfitues të buxhetit të shtetit, koncesione, PPP, subvencione etj.

— Struktura do të ketë të drejtën të kufizojë lirinë e individit brenda një territori të caktuar. Ky urdhër do të vlerësohet nga prokuroria dhe jo nga gjykata.

— Policia do të ketë të drejtën të urdhërojë marrjen e pasaportës dhe çdo mjeti tjetër të udhëtimit. Ky urdhër i komunikohet prokurorit, i cili e dërgon në gjykatë brenda 48 orëve.

— Struktura dhe BKH kanë të drejtë të nisin hetim pasuror për individët që dyshojnë se nivelin e jetesës nuk ua mbulojnë të ardhurat e tyre. Pjesë e hetimit do të jenë bashkëshortët, fëmijët, bashkëjetuesit mbi 5 vjet, si dhe të gjithë personat e tjerë që kanë lidhje pasurie.

— Policia do të marrë informacion nga çdo institucion publik ose privat; do të marrë akses në kompanitë telefonike (përgjim), në kompanitë e internetit për zbulimin e përdoruesit të internetit, në regjistra elektronike të subjekte private dhe shtetërore. Të gjitha këto do të bëhen pa miratimin e prokurorit apo gjykatës. Çdo përgjim në vende publike, gjetja e individit përmes pajisjeve të veçanta, kontroll fizik i personave, kontrolli i vendeve publike ose subjekteve shtetërore, vëzhgime sekrete të personave në vende të ndryshme do të kryhet vetëm me miratimin e policisë vendore ose me nismën vetjake të oficerit të policisë, me gradën nënkomisar e lart.

— Policia mund të marrë çdo informacion privat si llogari bankare, gjendje civile, prona, aksione biznesi, çdo të dhënë tjetër nga subjekte private ose shtetërore, pa leje të prokurorit apo gjykatës.

— Policia mund të sekuestrojë provat e mbledhura në varësi të urdhrit të Prokurorit. Provat e mbledhura prej tyre do të përdoren sipas vlerësimit të prokurorit.

Përpjekjet e Kryeministrit për të krijuar hetuesi nën varësinë e tij

Paketa antikorrupsion dhe antiterror është përpjekja e pestë e një qeverie, e cila është përpjekur në mënyrë sistematike të krijojë një njësi hetimi nën kontrollin e ekzekutivit dhe jo të sistemit të drejtësisë.

Hera e parë: në korrik 2014, Kuvendi miratoi Ligjin 108/2014 për Policinë e Shtetit. Në kapitullin VI të këtij ligji parashikohej ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), e krijuar sipas modelit të FBI-së amerikane.

Institucioni i ri, me fuqi hetuese në fushën e korrupsionit dhe krimit të organizuar, do të ishte një strukturë speciale në Policinë e Shtetit, nën përgjegjësinë direkte të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në atë kohë e drejtuar nga Saimir Tahiri, i cili gjithashtu do të emëronte drejtorin e këtij institucioni.

Ligji u shpall antikushtetues. Gjykata Kushtetuese gjeti se Kapitulli VI kërcënonte të drejtën e qytetarëve për një proces të drejtë, duke qenë se hetimet do të drejtoheshin nga Ministria e Brendshme, duke shkelur të drejtat themelore të njeriut të mishëruara në Kushtetutë.

Hera e dytë: Në shkurt të vitit 2016, qeveria Rama paraqiti një projekt-ligj, ku drejtori i BKH-së emërohej sërish nga ministri i Brendshëm, por vetëm me miratimin e Prokurorit të Përgjithshëm.

BKH do të trajtonte korrupsionin, shpërdorimin e  detyrës, pastrimin e parave dhe disa krime të tjera të rënda (më saktësisht nenet 254/1, 248, 256, 257/a, 258, 287, 294, 295/a dhe 328 të Kodit Penal).

Prjekt-ligji më vonë u tërhoq nga qeveria, pasi ajo dështoi ta kalonte atë në Kuvend përpara përfundimit të sesionit parlamentar për pushimet e verës.

Hera e tretë: Në tetor të viti 2016, Kuvendi kaloi me unanimitet një nga ligjet më të rëndësishme të reformës në drejtësi: Ligji 95/2016 për organizimin dhe funksionimin e institucioneve të luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ligji është ende në fuqi, por ende nuk është krijuar SPAK dhe BKH.

Hera e katërt: Në 7 nëntor 2017, në kuadër të ligjit “Forca e Ligjit”, qeveria ngriti njësinë Task-Force (që mund të përkthehet si “njësi e posaçme”). Kjo njësi është një institucion i madh, paralel me Prokurorinë, por nën kontrollin e plotë të Ministrisë së Punëve të Brendshme

Task-Force ka objekt të hetojë krimin e organizuar, i cili sipas ligjit 95/2016 është kompetencë e Prokurorisë Speciale, me Task-Force-at Speciale Rajonale në çdo rreth, nën drejtimin e Task-Force-s Speciale Qendrore, secila me drejtoritë, drejtorët, specialistët dhe agjentët përkatës.

Në fakt, kjo është e njëjta strukturë si Komiteti Kombëtar i Koordinimit (KKK) i BKH-së në ligjin e viti 2014, i cili u shpall më vonë antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Exit.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *