Vendosni fjalën kyçe....

U dogj Akademia e Shkencave për kryetarë


Nga Artan Fuga

Presidenti i Republikës z. Ilir Meta, duke mos e njohur si të ligjshme me dekretin e 12 korrikut 2019 zgjedhjen e kryetarit të Akademisë së Shkencave na jep ne akademikëve mundësinë të kthehemi në shinat e respektimit të ligjit!

Pa dyshim zgjedhjet atje, sikurse kam thënë prej javësh, janë krejtësisht, qartësisht, plotësisht në kundërshtim me ligjin, pikërisht me nenin 6/1 të tij ku krejt hapur dhe prerë theksohet se një kryetar partie jo kryetar i Akademisë së Shkencave nuk mund të zgjidhet, por as mund të kandidojë, madje as mund të jetë anëtar i Akademisë së Shkencave!

Theksoj se këtë ligj në fuqi nuk e ka bërë zoti Ilir Meta, ai vetëm është i detyruar ta zbatojë sepse përndryshe i duhet të japi ai llogari para ligjit, sikurse u duhet akademikëve të japin llogari para ligjit për shkeljet e shumta dhe të rënda të tij!

Në vend që Akademia e Shkencave të hartojë një platformë reformimi të saj, vëmendjen e ka kush do të kapi postet drejtuese, të njëjtët prej dekadash, me rroga të majme dhe me mbipagesa, për një punë krejt të padobishme shoqërisht.

Në vend të hartojë statutet dhe rregulloret e rinovimit të funksionimit të saj bën zgjedhje arkaike dhe në kundërshtim me ligjet.

Në vend t’u hapi rrugëve profesorëve dhe akademikëve të rinj për drejtimin e saj, mbetet te të njejtët njerëz, a thua se u dogj Shqipëria për studjues dhe kërkues shkencorë me frymë të re!

Në vend të bëjë një reformë të pastruar nga interesat egoiste personale, të njetët njerëz që gjoja reformojnë rrëmbejnë edhe postet drejtues me rroga të majme dhe pa kandidatura rivale, me zgjedhje moniste, dhe dikatoriale!

Njerëzit kanë ndruajtje të kandidojnë!

Në vend të demokratizojnë institucionin, të njejtët njerëz janë edhe në kryesi, edhe në krye të administratës, po ata bëjnë tendera, po ata janë në komisionin e botimeve, shpesh edhe autorë, po ata i kanë të gjitha pushtetet.

Pse? E kupton njeri përse ndodh kështu?

Mblidhen të shtunën për t’u kundërvenë kompetencave të Presidentit të Republikës, i paskan bërë edhe presione me sms e me të tjera atij, a thua se zgjedhja e kryetarit të akademisë së shkencave paska ndonjë rëndësi dhe axhale a thua se bëhet fjalë për kryetarin e OKB, a kryetarin e kryqit të Kuq Ndërkombëtar, a për kryetarin e komisionit të Bashkimit Europian! A thua u dogj Shqipëria për kryetarë akademie ku pak njerëz vijnë vërdallë duke harxhuar paranë publike pa bërë gjë, dhe përjashtuar akademikët nga vendimarrja!!

Në vend të reflektojmë se ku dhe sa kemi shkelur me të dyja këmbët ligjet, me pasoja të rënda financiare dhe kemi abuzuar me paranë publike duke e keqadministruar atë, hidhemi përpjetë edhe kur zoti President na kthen në rrugën e ligjit dhe na jep mundësi të marrim frymë!

Se mos vetëm me zotin President dhe dekretin e tij ka probleme akademia e shkencave!!!

Prej kohësh ajo përpëlitet me atë që qeveria e kryeministrit z. Edi Rama i ka kërkuar rithemelim nëpërmjet reformimit. Edhe me të u zemëruan atëhere!

Edhe me Ministrinë e Arsimit u kërleshën saqë u pajtuan që projektligji t’i hiqej nga dora ekspertëve të saj dhe t’u kalohej “miqve” politikë për t’a kaluar në mënyrë antikushtetuese në Kuvend.

Para disaditësh edhe qeveria u a përplasi në fytyrë duke u thënë se projektligji që keni përgatitur është i paligjshëm!

Se mos vetëm me qeverinë dhe Presidentin! Shihni qendrimet e rektorëve në komisionin e edukimit dhe medias sesi kritikojnë akademinë e shkencave sepse nuk është fare në udhën e duhur!

Se mos vetëm rektorët! Qendrimin e saj edhe kryetarja e komisionit të Kuvendit për edukimin zonja Dhimitri e ka bërë publik duke i quajtur zgjedhjet në Akademinë e Shkencave të paligjshme!

Se mos vetëm me pushtetin në fuqi, edhe me opozitën! A nuk deklaroi partia demokratike se votimet janë të paligjshme dhe se shkelësit e ligjit i pret drejtësia në mos sot nesër!!!

U vërtetua me dëshmi të plota në komisionin e edukimit që akademia e shkencave ka censuruar mendimin alternativ.

Dhe tani hidhen përpjetë dy a tri vetë që e quajnë veten këshill Ekzekutiv dhe ditën e shtunë i kërkojnë presidentit ta rikonsiderojë dekretin e tij!!!

Juridikisht qesharake!

Kushtetueshmërisht qesharake!

Akademia e Shkencave është marrë peng!

Por, ditët në vazhdim do ta rrëfejnë këtë djegshëm!


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *