Vendosni fjalën kyçe....

Fatos Lubonja flet për sulmin: Policia dha version të rremë


Analisti Fatos Lubonja ka reaguar për sulmin ndaj makinës së tij. Në një prononcim për “gazetën Panorama”, Lubonja akuzon Policinë e Shtetit se ka ofruar për publikun një version krejtësisht të rremë të ngjarjes.

Analisti tregon se agresori e ka sulmuar dhe herë të tjera, por ai nuk ka bërë publike ngjarjen për shkak se ka mësuar se personi kishte probleme të karakterit mendor.

“Mësova se kemi të bëjmë me të njëjtin të sëmurë mendor që ka sulmuar edhe herë tjetër familjarët e mi, duke fyer qëndrimet e mia si gazetar, por që nuk i kam vënë rëndësi sepse atë gjuhë ka kohë që e dëgjoj nga të sëmurë shumë më të rëndësishëm. Nuk mendova se e ka shtyrë dikush direkt, por sigurisht nuk mund të mos mendoja se për këtë sulm, duhet të ndihen përgjegjës njerëz si Kryeministri, që natë e ditë punojnë për të denigruar, delegjitimuar, poshtëruar punën time dhe të kolegëve të mi, duke përdorur terma të tillë si “kazan”, “shpifës profesionistë” “antishqiptarë” etj.. Gjithsesi, duke pasur parasysh se kemi të bëjmë me një të sëmurë, që për më tepër ishte arrestuar, nuk e bëra çështje publike.”, thotë Lubonja.

Por kur lajmi qarkulloi e madje pati edhe një reagim nga Policia e Shtetit, Lubonja ka thyer heshtjen. Sipas analistit, Policia e Shtetit ka dhënë një version të rremë mbi ngjarjen.

Sipas Lubonjës, policia ka marrë urdhër nga lart për të dalë me një njoftim të turpshëm, pavarësisht se edhe vetë kishin arritur në përfundimin se agresori kishte vepruar për shkak të qëndrimeve publike të analistit mbi politikën.

 “Ajo që më shtyu të jap këtë prononcim është njoftimi i dalë nga Policia, që e paraqet ngjarjen sikur personi në fjalë nuk ka pasur qëllim të godasë makinën time, por sikur, duke ikur i ndjekur nga Policia, personi ka goditur rastësisht një makinë që ndodhej në rrugë. Kjo është një e pavërtetë tronditëse, që tregon se në çfarë duarsh policësh është e vërteta dhe e drejta në vendin tonë, ashtu sikurse edhe drejtësia jonë.

Me provat që disponoj, deri më sot ky person, siç e thashë, nuk më rezulton të jetë shtyrë direkt nga të tretë për të goditur makinën time, por nuk ka asnjë dyshim se e ka goditur makinën time duke e ditur shumë mirë targetin dhe duke pasur emocione negative ndaj personit tim dhe familjes time. Këtë e provon edhe fakti se po në të njëjtën ditë, ka hedhur nga dritarja e shkallës së katit të katërt, ku banon familja ime, një vazo me lule nga ato që mban nëna ima jashtë derës. Gjëja më e rëndë në këtë histori është që në vend se Policia të hetojë me profesionalizëm dhe me përgjegjësi për mbrojtjen e jetës dhe paprekshmërinë e qytetarëve, ka servirur një version krejtësisht të rremë të ngjarjes. Nga burime të Policisë më rezulton se edhe ata kanë arritur në konkluzionin se personi në fjalë është i ndikuar nga qëndrimet publike të Lubonjës, por duket se vendime nga më lart kanë ndikuar të dilet në atë njoftim të turpshëm që indirekt është një inkurajim për agresorin.”, shprehet Lubonja për “Gazetën Panorama”.

Policia e Shtetit reagoi dje lidhur me sulmin e makinës së Fatos Lubonjës në fillim të muajit.  Reagimi i policisë nis me fjalët “Në përgjigje të zhurmës mediatike që po bëhet për dëmtimin e xhamit të automjetit të zotit F. Lubonja…”, duke zhvlerësuar kështu rëndësinë e ngjarjes, për të cilën nuk është parë e nevojshme të raportohet.

Në njoftimin e policisë thuhet se shtetasi që ka dëmtuar xhamin është qytetari me iniciale A.H 50-vjeç nga Tirana.

Policia thotë se atë ditë A.H po kërcënonte me mjete prerëse disa kalimtarë. Në tentativë për t’u larguar nga policia, ai  theu me sende të forta xhamin e një mjeti të parkuar në hyrje të pallatit ku banonte. Të paktën sipas versionit të policisë, të cilin Lubonja e hedh poshtë.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *