Vendosni fjalën kyçe....

Meta, Basha e Kryemadhi i dalin në krah Lubonjës, dënojnë sulmin ndaj analistit


Ditën e sotme ka qarkulluar një foto e makinës së analistit Fatos Lubonja, ku shihet i dëmtuar xhami i përparmë.

Personi që ka dëmtuar makinën e analistit, përflitet si një person problematik dhe me shumë gjasa me probleme të karakterit mendor. Por për këtë pjesë nuk ka asnjë bazë, si psh dokument mjekësor.

Lidhur me dëmtimin e makinës së analistit, kanë reaguar sot presidenti i vendit Ilir Meta dhe liderët e opozitës Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi.

Të tre kanë dënuar rastin.

Meta: “Thonë që sot çunat problematikë kanë dalë nga furgoni për të “përshëndetur” makinën e një analisti kritik ndaj Bablokut. 
Qoftë fake news për të dielë, për të mirën e Kryeproblematikut!”

Basha: “Dënoj me ashpërsi dhunën e drejtuar kundër intelektualit publik Fatos Lubonja. Kjo dhunë fizike vjen në klimën e dhunës psikologjike, gjuhës së urrejtjes dhe sulmeve të Edi Ramës kundër zërave kritikë dhe medias jashtë kontrollit të tij. Është detyra jonë të mbrojmë dhe mbështesim zërat e lirë si Fatos Lubonja ndaj ju ftoj të gjithë të solidarizohemi me të dhe çdo media dhe zë kritik”.

Kryemadhi: “Të frymëzuar nga dhuna e pushtetit dhe mbytjes së demokracisë prej atyre që kanë rrëmbyer shtetin, simboli i lirisë së mendimit, Fatos Lubonja është kthyer në viktimë të një sulmi të dhunshëm.

Dënoj me forcë aktin, i cili është rrjedhojë e gjuhës së urrejtjes dhe sjelljes arrogante të kreut të Rilindjes.

Kjo dhunë ndaj njërit prej përfaqësuesve më të denjë të fjalës së lirë, është paraprirë nga ligji i inkuizicionit ndaj medias së pavarur miratuar nga Qeveria e paligjshme vetëm disa ditë më parë.

Kjo dhunë e ushtruar sot është modeli, që Edi Rama frymëzon çdo ditë me sulmet e tij prej një rrugaçi dhe banditi politik ndaj kritikëve të qeverisë së tepsisë dhe skandaleve.

Dhuna ndaj mendimit të lirë nuk ka vend në demokraci.”

Autori i goditjes me gur të makinës së analistit Fatos Lubonja, është identifikuar si Arben Haçkaj.

Mësohet se efektivët e komisariatit nr.2 në Tiranë e kanë ndaluar tek Komuna e Parisit. Gjatë ndalimit, sipas “Ora News”, ai mbante në dorë një thikë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *