Vendosni fjalën kyçe....

Ndahet nga jeta gazetari i “NYT” që raportoi krimet e Serbisë në Kosovë


Ka ndërruar jetë David Binder, korrespodenti i gazetës amerikane “The New York Times”, i cili ka raportuar për luftën në Kosovë.

NYT” shkruan se Binder ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare të dielën e javës që shkoi, në shtëpinë e tij në Evanston. Gruaja e tij, Helga, tha se Binder vdiq nga një sëmundje e veshkave, e cila kishte mbërritur në stadin e fundit.

David Binder raportoi për Luftën e Ftohtë në Evropë, shpërbërjen e bllokut sovjetik në Lindje dhe luftërat e tmerrshme civile në Bosnjë, Kroaci dhe Kosovë.

“NYT” shkruan se Binder asnjëherë nuk kishte pushuar së punuari dhe ishte i pamëshirshëm me shkrimet e tij. Ai mbuloi ndërtimin e Murit të Berlinit në vitin 1961 dhe shkatërrimin e tij në vitin 1989.

Binder ka raportuar gjithashtu tensionet në Lindje e Perëndim nën regjimet komuniste në Gjermaninë Lindore, Poloni, Çekosllovaki, Hungari, Rumani, Bullgari dhe Jugosllavi.

Në fillim të viteve 1990, kur Gjermania u ribashkua dhe paqja u kthye në pjesën më të madhe të Evropës, Binder u kthye në Ballkan për të mbuluar luftërat që përfshinë ish-Jugosllavinë në masakra, përdhunime masive dhe gjenocid, ku u vranë 100,000 njerëz dhe u dëbuan nga vendi miliona të tjerë.

Gazetari intervistoi viktimat civile, luftëtarët dhe udhëheqësit e tyre, përfshirë kriminelët serbë të akuzuar për krime lufte, Slobodan Millosheviçin dhe gjeneralin Ratko Mlladiç.

Millosheviç, ish-president i Serbisë, vdiq në burg në 2006-ën dhe gjenerali Mlladiç u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 2017 për krime kundër njerëzimit dhe gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë.

Binder ishte shumë i afërt me Willy Brandt, kancelarin e Gjermanisë Perëndimore, i cili u nderua me Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1971, për përpjekjet e tij për pajtim mes Lindjes-Perëndimit. Mes shumë librave që Binder ka publikuar përmendim “The Other German: Willy Brandt’s Life and Times,” botuar në vitin 1976.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *