Vendosni fjalën kyçe....

Lëshohet alarmi i emergjencës, çfarë po ndodh në veri të Kosovës


Policia e Kosovës ka nisur një aksion mëngjesin e sotëm në Veri, ku ka arrestuar disa policë serbë të lidhur me krimin e organizuar. Në këtë pjesë, është lëshuar alarmi i emergjencës, i cili paralajmëron rrezik.

“Gazeta Ekspress” shkruan se pas kësaj, shefi i shtetit serb ka urdhëruar ushtrinë dhe policinë e Serbisë që të vihen në gjendje gatishmërie.

Edhe pse bëhet fjalë vetëm për arrestime në mediat serbe po njoftojnë se policia serbe apo ROSU siç i referohen ata ka ” hyrë në Veri” duke e dramatizuar situatën.

Është interesante se një aksion të tillë të policisë Vuçiç ka kohë që e ka paralajmëruar. Operacionin e ka konfirmuar për mediat edhe Policia e Kosovës.

Sipas një njoftimi, disa zyrtarë policorë dhe qytetarë dyshohen për “Pjesëmarrje ose Organizim i Grupit Kriminal”, në lidhje me veprat tjera penale si; “Kontrabandim me Mallra”, “Keqpërdorim i Pozitës Zyrtare”,“Dhënie e Ryshfetit”, “Tregti e Ndaluar”.
Për realizimin e këtij aksioni, Policia e Kosovës ka hasur edhe në rezistencë të armatosur.

“Sot, me 28.05.2019 Policia e Kosovës (PK), në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), si dhe nën asistimin e njësiteve tjera relevante në zbatim të urdhëresës së Gjykatës Themelore Prishtinë, po realizohet një operacion i cili ka rezultuar me ndalimin  e disa zyrtarëve policor dhe disa qytetarëve.

Këtij operacioni policor i ka paraprirë një hetim disa mujor i IPK-së, PK-së i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Kosovës, i cili ka rezultuar me dyshimin e bazuar të përfshirjes së disa zyrtareve policor dhe të disa qytetarëve në; “Pjesëmarrje ose Organizim i Grupit Kriminal”, në lidhje me veprat tjera penale si; “Kontrabandim me Mallra”, “Keqpërdorim i Pozitës Zyrtare”, “Dhënie e Ryshfetit”, “Tregti e Ndaluar” etj.

Edhe përkundër hasjes në rezistencë të armatosur në Veri të Mitrovicës, operacioni policor është duke vazhduar,  përfshirë arrestimin dhe kontrollin e disa lokacioneve të cilat kanë rezultuar me konfiskimin e dëshmive relevante përfshirë edhe armë të gjata.

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me organet e drejtësisë, Inspektoratin Policor mbeten të përkushtuara në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj ligjore, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, parandalimit të veprimtarive të kundërligjshme, pa marrë parasysh përfshirjen e personave  në raste të tilla penale.

Lidhur me detajet rreth realizimit të këtij operacioni të gjerë do të njoftoheni, në një konferencë të përbashkët ku pritet të marrin pjesë Prokuroria, Policia dhe IPK-ja.”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *