Vendosni fjalën kyçe....

Kërcënimet ndaj oficerit Emiliano Nuhu, mbyllen hetimet për djalin e deputetit socialist


Prokuroria e Tiranës ka pushuar hetimet ndaj Rexhep Rrajës, djalit të deputetit socialist të Krujës Rrahman Rraja, për kërcënimet ndaj oficerit të policisë Emiljano Nuhu.

Sipas organit të akuzës, nuk provohet që oficeri Nuhu të jetë kërcënuar nga pjesëtarë të fisit Rraja nga Fushë-Kruja, e për këtë shkak pak javë më parë, dosja është vendosur të arkivohet, duke rrëzuar të gjitha pretendimet e ngritura nga oficeri.

Ky i fundit bëri një denoncim në komisariatin nr 6 në Tiranë, në muajin korrik të vitit 2018, se ishte kërcënuar nga Redjan e Ramazan Rraja, në një lokal në zonën e Unazës së Re. Nuku thoste se ata i kishin kërkuar që të hiqte dorë nga çështja e Rexhep Rrajës me të dashurën e tij Xhisiela Maloku.

Sipas prokurorisë, pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se takimi mes oficerit dhe personave në fjalë ishte miqësor dhe nuk provohej që Emiljano Nuhu të ishte kërcënuar. Nuhu denoncoi skandalin që sipas tij po ndodhte në Komisariatin e Fushë-Krujës, me rastin e Xhisiela Malokut. Sipas tij kishte ndërhyrje për të shpëtuar nga burgu djalin e deputetit.

Pas denoncimit të Nuhut, Rexhep Rraja u arrestua për dhunë ndaj të dashurës Xhisiela Maloku, e cila tërhoqi çdo akuzë që vetë kishte bërë ndaj tij. Ajo tha se shenjat me cigare, ia kishte bërë vetë vetes. Në dhjetor të 2018-ës, Rraja fitoi lirinë.