Vendosni fjalën kyçe....

Ku çaloi Rama në sulmin e radhës ndaj nënkomisarit Nuhu


Kryeministri Rama ka sulmuar sërish nënkomisarin e policisë në arrati, Emiljano Nuhu, të cilin e quajti “një shpifës i provuar katërcipërisht”. Edhe më herët Rama e kishte kërcënuar Nuhun, menjëherë pas publikimit të videodëshmisë së këtij të fundit duke thënë se “do e ndjekim këmba këmbës atë horr”.

Teksa po fliste para drejtuesve të Ministrisë së Brendshme dhe atyre të policisë për situatën e rendit në vend, duke theksuar statistikat që sipas tij tregojnë uljen e kriminalitetit në vend, kreu i qeverisë foli sërish për akuzat e Nuhut ndaj policisë.

Rama tha se akuzat e Nuhut ishin shpifje që tashmë ishin vërtetuar si të tilla ndërsa i kërkoi policisë që të mbronte veten nga akuzat ndaj saj prej elementëve të saj të inkriminuar duke iu referuar nënkomisarit në arrati.

“Akuzat erdhën prej një shpifësi të provuar katërcipërisht. Duhej që struktura përgjegjëse të çmontonte shpifjen. Ku ishte drejtori i SHÇBA-së, kur shpifësi e solli me shkrim shpifjen e tij, që u bë pastaj kur letra u bë publike dhe doli që policia e kishte bërë detyrën e saj. Pse nuk iu dha mundësia publikut të shihte kamerat. Është një sajesë e tij fund e krye. As ishte aty, as ishin aty as kishte asgjë, e gjitha një sajesë.” – tha Rama.

Ndërsa iu adresua drejtorit të policië, Ardi Veliu duke i thënë: “Ma di çdo pore e lëkurës sime sesa e rëndë është të të akuzojnë një dinjitet të cilat as i ke çuar ndonjëherë në mend, përkundrazi që ti i lufton.”

Sipas Ramës, policia kishte bërë detyrën e saj. Por sipas nënkomisarit Nuhu, i cili dha një videodëshmi të fortë në datën 26 shtator, ku ngrinte 2 çështje.

E para kishte të bënte me dhunën dhe kanosjen ndaj Xhisiela Malokut prej Rexhep Rrajes, djali i deputetit socialist të Krujës, Rrahman Rraja. Sipas Nuhut, vajza e e kishte denoncuar krimin e saj në disa komisariate por në të gjitha rastet nuk i ishte marrë parasysh pas kërcënimeve ndaj saj, disa prej të cilave edhe në prani të policisë.

E dyta kishte të bënte me kërcënimin që i ishte bërë atij në zyrë, brenda komisariatit të Fushë-Krujës prej vëllait të deputetit Rraja, Xhelal Rraja.

Ky i fundit e kishte kërcënuar me armë në kokë që të mbyllte çështjen e të nipit, ndërkohë që të pranishëm ishin edhe kreu i grupit parlamentar të PS-së, Balla, deputeti socialist Rraja dhe kryebashkiaku Artur Bushi.

Pas bërjes publike të videodëshmisë, gazetari Basir Çollaku dhe stafi i Shijak TV u kërcënuan me jetë ndërsa gazetari i kërkoi kryeprokurores Marku që të zbardhte kërcënimin.

Rreth 2 muaj pas denoncimit të Xhisiela Malokut dhe vetëm pas videodëshmisë së Nuhut, policia nisi kontrollin dhe verifikimin e akuzave të tij.

Por në përfundim të verifikimit, sipas SHÇBA-së, rezultoi se policia e kishte bërë detyrën e saj në rastin e Xhisiela Malokut. Ndërkohë që nuk kishte pasur asnjë lloj kërcënimi ndaj Emiljano Nuhut.

Sot Rama tha se kamerat mund ta vërtetonin lehtësisht këtë gjë. Ndërkohë që opozita ka akuzuar policinë se ka fshehur provat dhe ka manipuluar pamjet e kamerave të komisariatit për të fshehur praninë e Ballës, Rrajes dhe Bushit brenda zyrës së Nuhut. Vetë nënkomisari ka deklaruar se ka prova që e faktojnë praninë e treshes në zyrën e tij dhe se do i paraqesë në kohën e duhur.

Të njëjtën skemë sulmi ndoqi kryeministri Rama edhe në rastin e akuzave të Dritan Zaganit dhe në audiopërgjimin ndaj Agron Xhafajt. Në rastin e Zaganit, akuzat e tij ndaj ish-ministrit Tahiri dhe lidhjeve të tij me Habilajt në trafikun ndërkombëtar të drogës dolën të vërteta dhe sot Tahiri po hetohet për përfshirje në trafik.

Ndërsa në rastin e audiopërgjimit ndaj Agron Xhafajt, ky i fundit u largua nga vendi pa u hetuar këtu nga prokuroria, edhe pse akuzohet për trafik droge.

Ndërkohë që ekzpertiza britanike lidhur me audiopërgjimin vlerëson se zëri në materialin audio është i ngjashëm me atë të Xhafajt edhe pse kërkon që asaj t’i vihet në dispozicion materiali audio që PD ka dorëzuar në prokurori dhe jo materali i marrë nga mediat, që prokuroria ka dërguar për ekpertim.

/Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *