Vendosni fjalën kyçe....

Të gjithë liderët e Ballkanit bëjnë foto me Metën, përveç Vuçiçit (VIDEO)


Në Samitin e sotëm që u mbajt në Tiranë, presidenti serb  Aleksandar Vuçiç nuk pranoi të bënte foto me presidentin Ilir Meta. Pritja e liderëve të Ballkanit u bë nga presidenti Meta, së bashku me homologen e Kroacisë Kolinda Grabar-Kitarovic dhe atë të Sllovenisë, Borut Pahor. 

Ndryshe nga të tjerët, pasi u prit nga Meta me një shtrëngim duarsh u largua dhe nuk qëndroi të pozonte para kamerave. Kitaroviç ia bëri me shenjë presidentit serb drejt vendit bosh për foto, por Vuçiç nuk u kthye pas.

Sikurse shihet në videon e mëposhtme, të gjithë liderët e tjerë të Ballkanit, kanë qëndruar pas shtrëngimit të duarve, duke pozuar për fotot zyrtare të takimit.

Të ketë ndikuar në sjelljen e Vuçiçit, qëndrimi i Metës kundër shkëmbimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë? Kujtojmë se Meta para pak kohësh, është shprehur se dialogu Serbi-Kosovë është ndërtuar jo për të ndryshuar realitetin dhe sipas tij çdo devijim nuk sjell asnjë dobi.

“Dialogu Serbi-Kosovë është ndërtuar jo për të ndryshuar realitetin, por për të udhëhequr procesin e pranimit të tij, në emër të paqes e stabilitetit. Ai është parakusht për integrimin evropian të të dy vendeve.

Çdo diskutim dhe debat që ndihmon në kuptimin dhe pranimin e këtij realiteti është i mirëpritur. Çdo devijim nga ky realitet, përveçse provokon emocione dhe retorika populiste nuk sjell dobi.

Ballkani ka pësuar transformime të thella në dy dekadat e fundit në të cilat janë investuar seriozisht SHBA dhe BE-ja. Një nga investimet më të mëdha dhe të suksesshme ka qenë Pavarësia e Kosovës dhe në vijimësi vendosja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në dobi të normalizimit të marrëdhënieve dhe të stabilitetit, paqes dhe sigurisë afatgjate në rajon.

E kaluara historike e Ballkanit është fatkeqësisht e lidhur me ndryshime kufijsh, spastrim etnik dhe shpërngulje të dhunshme të popullsive të cilat janë shoqëruar me probleme të mëdha, armiqësi, luftëra e urrejtje.

Marrëveshja që mendohet të arrihet sot mes palëve është e rëndësishme të çlirojë energji pozitive, të ndihmojë frymën e bashkëjetesës dhe harmonisë dhe të shërojë ndjenjën e urrejtjes të mbjellë nga e kaluara dhe historia.”, ka thënë Meta.