Presidenca ka sqaruar procedurën e pajisjes me pasaportën shqiptare për dy biznesmenët indianë të shpallur në kërkim për akuzën e pastrimit të pastrimit të parave.
Dy biznesmenët indianë Nitin Jayantilal Sandesara dhe Chetankumar Jayantilal Sandesara që janë në kërkim, janë pajisur me pasaportën shqiptare në shkurt të vitit 2018 nga Presidenti Ilir Meta. Përmes zëdhënësit Tedi Blushi, Presidentit Meta ka sqaruar procedurën për dhënien e shtetësisë shqiptare për dy indianët.
Ai thotë se janë zbatuar të gjitha procedurat dhe shtetësia për dy indianët është dhënë me propozim të ministrit të Turizmit dhe Mjedisit.
Deklarata e plotë:
Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, z.Tedi Blushi sqaron lidhur me procedurën për dhënien e shtetësisë shqiptare, shtetasve të huaj, z. Nitin Jayantilal Sandesara dhe z. Chetankumar Jayantilal Sandesara, se:
Janë zbatuar procedurat ligjore bazuar në pikën 7, të nenit 9 të ligjit nr. 8389, datë 05.08.1998 “Për shtetësinë shqiptare” të ndryshuar, me propozimin e Ministrisë së Turizimit dhe Mjedisit, “për shkak të eksperiencës në investime dhe historikut të sipërmarrjeve të suksesshme jashtë Republikës së Shqipërisë dhe për shkak të angazhimit të tyre për realizimin e investimeve të rëndësishme elitare në vendin tonë”.
Bazuar në pikën 6, të nenit 9 të ligjit për shtetësinë, janë bërë verifikimet përkatëse nga agjencia ligjzbatuese nga e cila nuk kanë rezultuar të dhëna problematike për dhënien e shtetësisë shqiptare.