Vendosni fjalën kyçe....

Protestuan kundër Ramës në Fier, arrestohen 4 qytetarë


Pas kontrolleve në shtëpitë e tyre mbrëmjen e kaluar dhe shoqërimit të afro 50 protestuesve fierakë në polici, katër prej tyre janë vënë në pranga.

Policia lajmëron se katër protestuesit janë arrestuar në flagrancë dhe akuzohen për “Tubim të Paligjshëm”. Po ashtu 41 protestues të tjerë janë proceduar penalisht.

“Policia arreston në flagrancë 4 shtetas si dhe procedon penalisht në gjendje të lirë 41 shtetas të tjerë, të cilët gjatë ditës së djeshme kanë marrë pjesë në grumbullime të paligjshme dhe kanë mbajtur të bllokuar rrugën duke penguar lëvizjen e lirë të mjeteve.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, arrestuan në flagrancë për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, shtetasit:

– H.H, 59 vjeç, banues në Patos

– G.B, 56 vjeç, banues në Patos

– B.J, 56 vjeç, banues në Patos

– B.Xh, 56 vjeç, banues në Roskovec.

Janë proceduar në gjendje të lirë edhe 41 shtetas të tjerë për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.

Vazhdon puna për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore edhe të personave të tjerë, të cilët kanë marrë pjesë në këto grumbullime të kundraligjshme.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.”, thuhet në njoftimin e policisë.

Mësohet se bëhet fjalë për rreth 50 persona të shoqëruar gjatë mbrëmjes së 8 Marsit.

Mbrëmjen e kaluar policia e Fierit ka kontrolluar banesat e shumë qytetarëve në Fier, Patos dhe Roskovec të cilët dolën të protestonin dje kundër kryeministrit Edi Rama.

Një gjë të tillë e deklaroi edhe kreu i PD-së në Fier Luan Baçi, sipas të cilit policia po u bën presion qytetarëve.

“U bëjnë presion, që ose të vini në polici, ose të vini nesër. Kjo është një presion që i bëhet, pasi protesta do të vazhdojë nesër. Qytetarërt fierakë do të përballen përsëri në protestë me kryeministrin Rama. Kjo bëhet që mos shkojnë nësër në protestë. Qeveria dhe policia mos ti bëjë presion qytetarëve pasi protesta e sotme në Fier ishte shumë paqësore, por e fuqishme përballë kryeministrit”, tha Baçi.

Dhjetra qytetarë në Roskovec i bllokuan rrugën kryesore të qytetit duke bllokuar kështu rrugën kryeministrit Edi Rama,  i cili kishte njoftuar se do të vizitonte Kishën e “Shën Kollit”  në Kurjan që është nën administrimin e bashkisë së Roskovecit, e cila është rikonstruktuar së fundmi. Protestat vazhduan edhe në qytet në Fier dhe në Patos. Madje pati edhe përplasje mes policisë dhe qytetarëve.

Protestuesit në Fier për pak çaste arritën të thyejnë kordonin e policisë, që i kishte ndërprerë rrugën. Por policët janë mobilizuar duke arritur ta krijojnë sërish kordonin dhe të mos lejojnë protestuesit të kalojnë. Edhe pjesëtarë të Gardës së Republikës, kishte mes policëve të thjeshtë./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *