Vendosni fjalën kyçe....

Nga shfaqjet me violinë tek kaskat e verdha, çfarë po ndodh në protestën e studentëve (FOTO/VIDEO)


Në kryeqytet por jo vetëm, po zhvillohen protesta të fuqishme nga studentët, të cilët kanë bllokuar sot pikat kyçe të Tiranës.

Një protestë kjo e cila ka sjellë shumë risi, që nga pjesëmarrja e gjimnazistëve, mini-shfaqja me violinë e studentëve të Arteve, e deri te kaskat e verdha të vëna nga studentët e gjeologji-minierave.

Studentët kanë bllokuar sot pikat kyçe të Tiranës, që nga kryqëzimi i Piramidës me Bulevardin kryesor nga studentët e Politeknikut, rruga e Dibrës nga studentët e Mjekësisë, stacioni i Trenit nga studentët e Shkencave Natyrore, sheshi Ëilson nga studentët e fakultetit të Drejtësisë, Zogu i Zi nga studentët e Arkitekturës dhe Urbanistikës, studentët e shkencave sociale kanë bllokuar kryqëzimin e 21-shit, studentët e ekonomikut, filologjikut dhe gjuhëve të huaja kanë bllokuar rrugën e Elbasanit  ndërsa ata të Universitetit Bujqësor të Kamzës kanë bllokuar doganën.

Pas bllokimit të rrugëve ka nisur marshimi drejt Ministrisë së Arsimit, por gjatë këtij marshimi, studentët e mbledhur te Sheshi “Nënë Tereza” kanë qenë spektatorë të një shfaqjeje me violin të studentëve të Arteve të cilët kanë performuar tingujt melodiozë të himnit kombëtar, ndërsa të gjithë kanë kënduar sëbashku. 

Sakaq, në të njëjtën kohë, studentët e Gjeologji-Minierave kanë vënë kaska të verdha minatorësh mbi kokë.

“Studentët e bashkuar kanë për të fituar”, është thirrja e tyre. Sakaq kanë qarkulluar pamjet e para nga protesta, që nga thirrjet e studentëve “Ulni Tarifat” e deri tek pamjet e pankartave kryesore të ditës.

Protesta po zhvillojnë edhe studentë nga Shkodra, Korça, Elbasani, Durrësi dhe Gjirokastra, një pjesë e të cilëve janë nisur drejt Tiranës.

Protestës  i janë bashkuar edhe maturantë nga disa gjimnaze në kryeqytet, që nga Petro Nini-Luarasi”, “Sami Frashëri”, “Harry-Fultz”, “Qemal Stafa” dhe “Partizani”.

Mirëpo shumë prej maturantëve janë ndeshur me presione dhe nuk janë lejuar të protestojnë në ambientet e shkollave të tyre, ndërsa janë kërcënuar me mungesa nga ana e mësuesve dhe drejtorëve të shkollave.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë në “News 24”, një maturant i gjimnazit “Partizani” tha se pjesa më e madhe të miqve të tij kanë qëndruar në mësim nga frika e ndëshkimit.

“Argumenti ynë është që edhe ne një ditë do të jemi studentë dhe ne duam që kushtet tona të jenë sa më të mir. Që edhe ne të kemi një arsim mjaft të mirë dhe për të ardhmen e këtij vendi. Sepse ne jemi e ardhmja e këtij vendi dhe ne vendosim.

Po ka patur shumë forma presioni. Jo do vihen mungesat dhe prandaj nuk jemi edhe aq shumë sepse një pjesë ka qëndruar në mësim.

Ne do jemi deri në fund”, janë fjalët e maturantit.

 

Për herë të parë në 8 ditë që studentët po protestojnë, ata sot nuk e kanë shmangur më godinën e Kryeministrisë. Përkundrazi kanë kaluar lirshëm në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, por pa qëndruar poshtë zyrës së kryeministrit Edi Rama.

Sakaq, te Kryeministria vihet re një numër i shtuar i forcave të sigurisë pasi efektivët kanë formuar një kordon.

Ditën e djeshme, por edhe ditët e tjera, studentët që mblidheshin tek Politekniku e kanë shmangur godinën e Kryeministrisë, duke ndjekur rrugën nga Universiteti i Arteve tek Blloku, për të vazhduar më pas drejt Ministrisë së Arsimit.

Studentët sot kanë paralajmëruar të qëndrojnë në pritje të një përgjigjeje nga Lindita Nikolla deri në orën 16:00.

Nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen, studentët kanë paralajmëruar përshkallëzimin e protestave deri në grevë urie./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *