Vendosni fjalën kyçe....

“Shpellarët” e Tiranës VS ata të Parisit, ku ndryshojnë dy protestat (FOTO/VIDEO)


Rreth një javë më parë, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, i quajti “shpellarë” banorët e Astirit të cilët protestojnë prej dy javësh kundër shembjes së banesave të tyre, pa marrë 100% dëmshpërblimin.

Sipas Veliajt protestuesit kishin dhunuar bashkinë, ndërkohë që ata nuk kishin nisur ende asnjë akt dhune, përkundrazi.

Pas termit “shpellarë” të Veliajt, banorët e Astirit nisën të godisnin me vezë godinën e bashkisë, të digjnin goma dhe të përdornin shashka gjatë protestave.

Një protestë kjo e cila po ta krahasosh me atë që po ndodh aktualisht në Francë, është krejt jashtë një proteste të dhunshme.

Prej katër ditësh, në kryeqytetin e Francës në Paris, qindra protestuestues kanë bllokuar rrugët dhe jo vetëm kaq… të shtunën një person humbi jetën dhe qindra të tjerë mbetën të plagosur. Një bilanc krejt tjetër krahasuar me Shqipërinë. Çfarë i bie tani, të quajmë shpellarë parizienët?!

Ku ndryshojnë dy protestat?

1- Protesta në Tiranë/ Banorët e Astirit kanë dalë në protesta pas një njoftimi që u erdhi nga përfaqësues të shtetit, se brenda 15 ditësh duhet të braktisnin banesat e tyre pasi do shembeshin.

Vetëm 15 ditë kohë iu la këtyre banorëve që të gjenin një çati ku të vendosin kokën, ose të mbeten në qiell të hapur. Dëmshpërblimet nuk janë bërë paraprakisht, kështu që ata duhet të mbeten me shpresën se një ditë qeveria do e mbajë premtimin dhe do u japë atë që i takon.

Por problemi është më i thellë se kaq. Një pjesë e mirë e këtyre banorëve nuk i kanë banesat e legalizuara, edhe pse që prej vitit 2009 kanë qenë në proces legalizimi. Kanë shpenzuar dhe kanë kryer të gjitha proceset për ta marrë dokumentin e legalizimit, të cilën prej 25 vitesh ua ka premtuar çdo parti. Madje edhe qeveria që është sot.

“Kështu që kjo çështje është njësoj si gjithë të tjerat. Ne e kemi marrë angazhimin. Do bëjmë një proces serioz, ta mbyllim këtë histori se nuk është vetëm puna e legalizimit që mos të prishet shtëpia, se shtëpitë nuk prishen gjithsesi. Puna është që ato janë kapitale të vdekura, se janë investime të bëra me kursime me gjak”, janë fjalët që kryeministri Rama përdor me banorët e njësisë 6 ku bëjnë pjesë edhe banorët e Astirit, në kulmin e fushatës në maj të 2013-ës.

Një premtim që vetë Rama e dinte shumë mirë që s’do e mbante. E ndërkohë që përgjatë viteve legalizimet janë bërë për njërin komshi e për tjetrin jo, erdhi dita kur Rama të shkelë premtimin e dokumentuar dhe me video – “Shtëpitë nuk prishen”.

Me të drejtë banorët e Astirit kanë dalë nëpër protesta, duhet theksuar tejet paqësore. Por kryebashkiaku Veliaj më 13 nëntor nuk u shpeh në këtë mendim. Përkundrazi, i quajti ata shpellarë.

“Sa të jem unë kryetar bashkie, këtu jo vetëm që nuk guxon njeri të imponohet me forcë, edhe me dhunë, me rrugaçëri dhe me sjellje shpellari dhe duke goditur bashkinë…”, janë fjalët që Veliaj përdor.

Por asnjë shenjë dhune nuk kishte ndodhur deri në ato momente. Pas termit “shpellarë” të Veliajt, banorët e Astirit nisën të godisnin me vezë godinën e bashkisë, të digjnin goma dhe të përdornin shashka gjatë protestave. Por vetëm pas fjalës “shpellarë” të Veliajt.

Protesta në Tiranë

2-Protesta në Paris/Prej katër ditësh, mijëra qytetarë francezë kanë dalë në protesta kundër rritjes së çmimit të naftës.

Protesta që nisi në orët e para të së shtunës pa me dhjetëra mijëra persona që dolën në rrugët e qyteteve franceze për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj politikave të presidentit Emmanuel Macron dhe vendimin e fundit të qeverisë franceze për të rritur çmimet e karburantit nëpërmjet taksave shtesë.

Protestuesit bllokuan rrugët në të gjithë Francën, duke bllokuar trafikun në shumë zona, si dhe duke bllokuar pikat e shitjes së karburantit.

Më shumë se 124,000 persona morën pjesë në më shumë se 2000 tubime në Francë, sipas Ministrisë së Brendshme.

Demonstruesit u panë të digjnin goma dhe ngritën barrikada në rrugë. Veprimet e protestuesve gjithashtu çuan në disa konflikte mes shoferëve dhe këmbësorëve. Përplasje pati edhe mes forcave të policisë dhe protestuesve, sikurse shihet nga nga videot.

Policia vendosi forca të mëdha në zonat ku u zhvilluan protestat, por megjithatë nuk arriti dot që ta normalizojë situatën dhe ta vërë nën kontroll atë.

Sipas Ministrisë së Brendshme, 409 persona u plagosën gjatë protestave, me 14 prej tyre që janë në gjendje të rëndë, sikurse shkrujnë mediat lokale. Madje një prej tyre humbi jetën. Por askush nuk po i quan “shpellarë”, sikurse kryebashkiaku ynë.

Një bilanc krejt tjetër ky i Francës nga ai në Shqipëri, ku protestuesit këtu nuk kanë dalë thjesht për rritje taksash apo çmimesh, çështje për të cilat shqiptarët nuk janë ngritur ende,  por për shkak se do mbeten pa shtëpi. Kursimet e gjithë jetës së tyre, 25 viteve punë mesatarisht po u shumëzohen me zero.

Ministri Damian Gjiknuri ka premtuar 3 vite qira për banorët e Astirit, por ata i pësuan njëherë premtimet e pampajtura të kësaj qeverie. /Hashtag.al

Protesta në Nante të Francës

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *