Vendosni fjalën kyçe....

Tërhiqet Veliaj dhe fyen sërish: Shpellarë quajta deputetët e Saliut, ata janë prehistorikë!


Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka tërhequr deklaratën e djeshme duke thënë se shpellarë nuk kishte quajtur banorët e Unazës së Re, por deputetët e Partisë Demokratike.

Në një status në faqen e tij në “Facebook”, Veliaj shkruan se shpellarë ka quajtur deputetët e Saliut, të cilët u ishin sulur barbarisht policeve femra të Policisë Bashkisë, ndërsa shkruan se refuzon t’i quajë deputetë përfaqësuesit e PD-së në Kuvend, të cilët sipas tij janë prehistorikë.

“Sqarim: Shpellarë quajta deputetët e Saliut, që i sulen barbarisht zonjave police të bashkisë! S’i quaj dot deputetë këta prehistorikë! Saliu i vrau me plumba në mish në Bulevard, le më t’i lejonte te dera. Shpronësimet 100%, edhe pse shumica janë lloto, lavazhe e 8 kate pa leje.” – shkruan Veliaj në faqen e tij në “Facebook”.

Ditën e djeshme qindra banorë të Unazës së Re protestuan para Bashkisë së Tiranës duke kërkuar dëmshpërblim të plotë për pronat e tyre, që prishen pas projektit për zgjerimin e rrugës.

Natën e mbrëmshme ata bllokuan segmentin nga “Pallati me Shigjeta” drejt “Sheshit Shqiponja” në reagim të deklaratave të Veliajt.