Vendosni fjalën kyçe....

Salianji: Berisha është shndërruar në patericën politike që e mban Edi Ramën në pushtet



Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar për bojkotin e fundit të seancave parlamentare nga grupi i PD-së, duke pretenduar se vetë deputetët demokratë kanë qenë kundër këtij vendimi dhe kanë kërkuar përballje politike me kryeministrin Edi Rama në Kuvend.

Sipas Salianjit, vendimi për të mos marrë pjesë në seancë është marrë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha, i cili sipas tij po justifikohet me frikën nga protestuesit dhe hedhjen e vezëve, ndërsa në të vërtetë po mbron marrëveshje politike me mazhorancën.

“Nëse do të kishte vullnet për opozitë, deputetët do të ishin në sallë për t’u përballur me qeverinë. Frika e vërtetë është nga kërkesa gjithnjë e më e fortë e qytetarëve që Sali Berisha të largohet, pasi është shndërruar në patericën politike që e mban Edi Ramën në pushtet”, u shpreh Salianji.

Ai pretendoi se aktualisht po zhvillohen dy marrëveshje politike që, sipas tij, dëmtojnë opozitën dhe qytetarët: reforma zgjedhore dhe reforma territoriale.

Për reformën zgjedhore, Salianji akuzoi Berishën se nuk ka paraqitur propozime konkrete për ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe se nuk po kërkon lista plotësisht të hapura apo një sistem që u jep qytetarëve më shumë rol në zgjedhjen e deputetëve.

Ndërsa për reformën territoriale, ai tha se opozita nuk ka paraqitur një alternativë të qartë për ndarjen e re administrative të vendit dhe se kjo çështje po trajtohet pa debat dhe transparencë.

“Kur opozita heq dorë nga beteja kundër Ramës dhe bën pazar për reformën zgjedhore dhe reformën territoriale, nuk kemi më të bëjmë me opozitë, por me bashkëjetesë dhe bashkëqeverisje politike”, deklaroi Salianji.

Akuzat e Salianjit vijnë në një kohë kur opozita ndodhet nën presion nga protestat e përditshme qytetare kundër qeverisë dhe debatet brenda kampit opozitar për mënyrën e përballjes politike me mazhorancën.