
Në Bruksel zhvillohet sot Konferenca e IX Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Evropian, ku pritet të mbyllen tre kapitujt e parë të negociatave të anëtarësimit.
Delegacioni shqiptar, i kryesuar nga kryeministri Edi Rama, do të mbyllë kapitujt 25, 26 dhe 30, konkretisht për shkencën dhe kërkimin, arsimin dhe Kulturën si dhe Marrëdhëniet me Jashtë, fusha në të cilat Shqipëria konsiderohet plotësisht e njësuar me standardet e Bashkimit Europian.
Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, e cilësoi ditën si një “Super të Martë” për zgjerimin e BE-së, duke theksuar se Shqipëria po shënon një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian.
“Sot është një Super e Martë për zgjerimin e Bashkimit Evropian.
Për herë të parë në më shumë se dy dekada, po zhvillojmë katër konferenca anëtarësimi në të njëjtën ditë.
Katër vendet tona kryesuese Ukraina, Moldavia, Shqipëria dhe Mali i Zi – po hedhin të gjitha hapa të rëndësishëm përpara.
Me Ukrainën dhe Moldavinë, po hapim Klasterin 6, që mbulon fusha si mbrojtja dhe siguria, ku argumentet për anëtarësimin e tyre në BE janë veçanërisht të forta.
Shqipëria do të mbyllë kapitujt e saj të parë. Ndërsa Mali i Zi ndodhet tashmë në fazën përfundimtare të negociatave formale, pasi ka mbyllur 18 nga 33 kapituj.
Tani ky moment pozitiv duhet të shndërrohet në rezultate konkrete në terren”, tha Marta Kos.